Georgina Rodríguez ka ndarë një reflektim të gjatë dhe shumë personal pas komenteve që ka marrë në rrjetet sociale për pamjen e saj fizike.
Partnerja e Cristiano Ronaldos ka vendosur t’u përgjigjet diskutimeve për trupin e saj duke folur për mënyrën si gratë përballen me pritshmëritë e shoqërisë, gjykimet online dhe presionin për të ruajtur një imazh perfekt.
Nëpër të tregon edhe bisedën që ka bërë me bashkëshotin e saj dhe përgjigjen që ai i ka kthyer.
Mesazhi i saj vjen në një kohë kur rrjetet sociale shpesh kthehen në një hapësirë ku figurat publike përballen me komente dhe gjykime për trupin, moshën apo mënyrën si duken.
“Trupi im do të ndryshojë, ashtu siç ndryshon trupi i çdo gruaje. Dhe shpresoj që të vazhdojë të ndryshojë edhe për shumë vite të tjera, sepse kjo do të thotë se unë vazhdoj të jetoj.
Jam nënë e 6 fëmijëve të mrekullueshëm. Tre prej tyre janë vajza që një ditë do të bëhen gra të rritura. Dhe nëse ka diçka që dua t’u mësoj atyre, së bashku me Cris, për të cilin ndihem thellësisht krenare për vlerat që përcjell si baba dhe si burrë, është se vlera e një personi nuk mund të varet kurrë nga pamja fizike apo nga mendimi i njerëzve të panjohur.
Ajo dozë e vogël psikologjie pozitive që përpiqem t’ua dhuroj atyre çdo ditë, më ndihmon edhe mua të vazhdoj të gjej drejtimin tim në këtë botë me kaq shumë fantazi dhe pritshmëri të rreme.
Këto ditë kam parë të gjitha llojet e komenteve për disa foto të miat në një varkë. Disa njerëz japin mendime për trupin tim, ndërsa të tjerë më mbrojnë…
Po e diskutoja me Cris-in dhe i thashë:
“Jam e shqetësuar që tani po më quajnë të shëndoshë, sepse unë jetoj nga imazhi im.”
Dhe ai më tha:
“Ti nuk jeton nga imazhi yt. Ti jeton nga ajo që je. Një grua perfekte. E bukur, me një trup fantastik, nënë, njeri i mirë, e suksesshme dhe që e jeton jetën me dashuri. Çfarë tjetër dëshiron? Është normale që disa njerëz të të kenë zili.”
Dhe ne folëm edhe për shumë gjëra të tjera.
Ndonjëherë të gjithë kemi nevojë që dikush të na kujtojë atë që ka vërtet rëndësi.
Ajo që më duket interesante është se kjo ndodh çdo verë. Çdo vit trupi im kthehet sërish në lajm.
Dhe atëherë pyes veten… ku është standardi? Kush vendos se cili është trupi “i duhur”? A mendojmë vërtet ende se lumturia ka një masë?
Unë stërvitem sepse më bën të lumtur. Sepse është një pasion për mua. Sepse ajo orë në palestër është një nga momentet më të mira të ditës sime. Më jep shëndet, qetësi mendore, disiplinë, energji dhe mirëqenie.
Nuk ka qenë kurrë një luftë për të humbur peshë; ka qenë gjithmonë një mënyrë për t’u kujdesur për veten.
I dua format e mia. E dua lirinë për të jetuar në trupin që zgjedh. Në trupin që më mban, që më ka lejuar të përqafoj, të krijoj jetë, të rrëzohem dhe të ngrihem përsëri.
Një trup që meriton respekt, dashuri dhe mirënjohje në të gjitha versionet e tij.
Për mua, suksesi i vërtetë nuk ka qenë kurrë të përshtatem me një standard që askush nuk e di se kush e ka shpikur.
Suksesi i vërtetë është të jetosh në paqe. Të jesh e rrethuar nga njerëzit që do. Të shijosh familjen dhe miqtë. Të kujdesesh për shëndetin. Të qeshësh. Të mësosh. Të jetosh.
Dhe këtë… nuk do ta ndryshoja për asnjë ideal të imponuar.
PS: Puthje nga një ‘topolake’ e lumtur”, shkruan Georgina./ad
