Last Updated on 15/07/2026 by EL
Qeveria britanike ka njoftuar masa të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët 16 dhe 17 vjeç, duke vendosur një kufizim automatik gjatë orëve të natës.
Sipas planit, platformat si Instagram, TikTok dhe YouTube do të jenë të bllokuara si parazgjedhje nga mesnata deri në orën 06:00, megjithëse të rinjtë do të mund ta çaktivizojnë këtë kufizim përmes cilësimeve të llogarisë së tyre.
Qeveria britanike synon gjithashtu të kufizojë disa veçori që konsiderohen krijuese të varësisë, si lëvizja pa fund nëpër përmbajtje (infinite scroll) dhe luajtja automatike e videove.
Sipas autoriteteve, këto masa do të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit, përqendrimit në shkollë dhe marrëdhënieve familjare.
Ministri britanik për sigurinë online, Kanishka Narayan, tha se kombinimi i kufizimit të natës dhe kontrollit të funksioneve të aplikacioneve do ta bëjë Britaninë një nga vendet me rregullat më të forta ndaj kompanive teknologjike.
Megjithatë, nisma ka shkaktuar edhe kritika. Disa aktivistë mendojnë se masa nuk është mjaftueshëm e fortë, pasi adoleshentët mund ta heqin vetë kufizimin.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se do të prezantojë gjithashtu masa të reja për përdorimin e sigurt të chatbot-eve me inteligjencë artificiale nga të miturit, përfshirë kërkesën për pushime të rregullta gjatë përdorimit.
Masat e reja pritet të paraqiten në Parlament deri në fund të vitit 2026 dhe të zbatohen së bashku me ndalimin e përdorimit të disa platformave sociale për fëmijët nën 16 vjeç. /et
