Një person i armatosur është vrarë pas një shkëmbimi zjarri me oficerët e Shërbimit Sekret pranë Shtëpisë së Bardhë mbrëmjen e së shtunës, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur.
Sipas deklaratës së Shërbimit Sekret të SHBA, i dyshuari iu afrua një pike kontrolli në kryqëzimin e Rrugës së 17-të me “Pennsylvania Avenue”, nxori një armë nga çanta dhe hapi zjarr ndaj oficerëve.
Forcat e sigurisë iu kundërpërgjigjën menjëherë, duke e qëlluar autorin, i cili u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Nga incidenti u plagos edhe një kalimtar, megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Shërbimi Sekret deklaroi se ende nuk është e qartë nëse personi u godit nga të shtënat e autorit apo gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Burime të zbatimit të ligjit, sipas Reuters, thanë se i dyshuari ishte person me probleme emocionale dhe ndaj tij ishte lëshuar më herët një urdhër “qëndrimi larg”.
Autoritetet konfirmuan se asnjë efektiv i sigurisë nuk mbeti i lënduar gjatë ngjarjes. Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në zonën presidenciale, vetëm pak javë pas një tjetër incidenti me armë pranë një aktiviteti të lidhur me Shtëpinë e Bardhë./ kb
