Erik ten Hag ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar me Cristiano Ronaldon, duke bërë deklarata të forta për vitet e fundit të karrierës së yllit portugez. Trajneri holandez ka një vlerësim mjaft kritik për periudhën e fundit të CR7, duke pretenduar se rënia e tij kishte nisur shumë më herët nga sa mendohej.
Në një intervistë për ESPN, ten Hag u shpreh se Ronaldo, pavarësisht statusit si një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit, nuk arriti të ruante të njëjtin ndikim pas largimit nga Real Madridi. Sipas tij, periudha te Juventusi shënoi fillimin e fundit të versionit më dominues të sulmuesit portugez.
“Pa asnjë keqkuptim, Ronaldo është një futbollist i madh, ndër më të mirët në botë. Por realiteti është se gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit nuk ka arritur të japë më të mirën e tij. Që nga koha te Juventusi, për të kishte përfunduar gjithçka”, deklaroi trajneri holandez.
Ten Hag theksoi se problemi kryesor i Ronaldos ishte vështirësia për t’u përshtatur me nevojat e skuadrës dhe për të vënë cilësitë individuale në shërbim të kolektivit.
“Çdo skuadër e madhe duhet të dijë të shfrytëzojë yllin e saj, por edhe vetë ylli duhet të jetë në gjendje t’i shërbejë ekipit. Pikërisht ky ishte problemi me Ronaldon”, u shpreh ai./ad
