Kina ka vendosur kufizime të reja ndaj dhjetëra kompanive të mëdha japoneze, duke ndaluar eksportin e magnetëve të tokës së rrallë dhe materialeve të tjera kritike, në një përshkallëzim të mosmarrëveshjes me Japoninë.
Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se do të pezullojë furnizimin me materiale “me përdorim të dyfishtë”, që mund të përdoren si në industrinë civile, ashtu edhe në atë ushtarake për 20 kompani japoneze. Një tjetër grup prej 20 kompanish është futur në një “listë vëzhgimi”, që nënkupton kontrolle më të rrepta dhe vonesa në furnizime, shkruan Financial Times.
Masat prekin filiale të Mitsubishi Heavy Industries, si edhe prodhuesit e automjeteve Subaru dhe Hino Motors. Sipas një zëdhënësi të ministrisë, kufizimet synojnë të frenojnë “ri-militarizimin dhe ambiciet bërthamore” të Japonisë dhe hyjnë në fuqi menjëherë.
Përplasja u thellua pas deklaratave të kryeministres japoneze Sanae Takaichi, e cila në nëntor tha se një pushtim i mundshëm kinez i Tajvanit do të përbënte “kërcënim ekzistencial” për Japoninë, duke lënë të hapur mundësinë e një reagimi ushtarak. Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të vet dhe ka paralajmëruar përdorimin e forcës nëse ishulli shpall pavarësi formale.
Kina dominon zinxhirët globalë të furnizimit me minerale të rralla, përfshirë galiumin, germaniumin, antimonin dhe grafitin, si edhe materialet magnetike të avancuara. Industria globale e automobilëve varet ndjeshëm nga këto furnizime.
Njoftimi ndikoi menjëherë në bursën japoneze. Aksionet e Mitsubishi Heavy ranë me rreth 3%, ndërsa kompani të tjera industriale dhe teknologjike shënuan rënie të ndjeshme.
Kompanitë e futura në “listën e vëzhgimit” do të duhet të garantojnë se materialet me përdorim të dyfishtë nuk do të përdoren për të rritur kapacitetet ushtarake të Japonisë.
Ekspertët e sigurisë ekonomike në Japoni e cilësojnë këtë zhvillim si një moment kritik për bizneset japoneze, të cilat tashmë përballen me rrezikun e ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit në një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes dy fuqive aziatike./kb
