Dy persona kanë humbur jetën pasi u qëlluan me armë zjarri në qytetin Nanyuki, në Kenian qendrore, gjatë protestave kundër planit të Shteteve të Bashkuara për të ngritur një qendër izolimi për Ebolën në një bazë ushtarake aty pranë.
Sipas raportimeve, një nga viktimat u qëllua pranë bazës ajrore të Laikipia-s, ku po zhvillohej demonstrata, dhe ndërroi jetë pasi u transportua në spital nga miqtë. Viktima e dytë ishte e pajetë kur u dërgua në spital nga ushtarët. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka deklaruar se nuk është në dijeni të viktimave.
Të hënën, qindra qytetarë dolën në rrugë, duke bllokuar qarkullimin dhe djegur goma, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Njëri prej viktimave është identifikuar si 27-vjeçari Charles Mang’aro Mwangi. Sipas familjes, ai nuk kishte lidhje me protestat dhe u qëllua rastësisht teksa po shkonte të takonte një mik pas punës. “Nuk ishte pjesë e protestës dhe nuk po bënte asgjë. Ishte thjesht në rrugë kur u qëllua,” tha nëna e tij.
Ndërkohë, rrethanat e vdekjes së personit të dytë mbeten të paqarta. Të dy trupat ndodhen në morgun e spitalit dhe kanë plagë nga armë zjarri.
Të martën në mëngjes, situata në qytet u raportua e qetë, por me prani të shtuar të forcave të sigurisë.
Plani i SHBA-së për të ngritur një qendër trajtimi për Ebolën në Kenia ka shkaktuar shqetësime të mëdha te publiku, për shkak të frikës nga përhapja ndërkufitare e virusit. Qendra me 50 shtretër pritet të menaxhohet nga mjekë amerikanë dhe të trajtojë qytetarë amerikanë të prekur nga shpërthimi aktual në Republikën Demokratike të Kongos.
Deri më tani, Kenia nuk ka regjistruar asnjë rast me Ebolë.
Gjykata e Lartë e Kenias ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të projektit, duke kërkuar më shumë transparencë mbi detajet e tij, pas një padie nga një organizatë për të drejtat e njeriut që e cilëson projektin si rrezik për shëndetin publik.
Presidenti William Ruto ka mbrojtur planin, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje me SHBA-në dhe se qeveria po ndërmerr të gjitha masat për të garantuar sigurinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe politikës që të mos e politizojnë çështjen, duke e cilësuar situatën si shumë serioze.
Megjithatë, sindikata e mjekëve dhe disa institucione mbikëqyrëse në vend vijojnë ta kundërshtojnë projektin, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme për popullsinë lokale./mxh
