Dy përfaqësues demokratë të Kongresit Amerikan, Pramila Jayapal dhe Jonathan Jackson, zhvilluan një vizitë pesëditore në Kubë, në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Havanës.
Vizita e tyre vjen pasi administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj ishullit, përfshirë një bllokadë de facto të naftës dhe kufizime të forta ekonomike, në përpjekje për të ushtruar presion mbi qeverinë kubane.
Gjatë qëndrimit në Havanë, dy ligjvënësit u takuan me presidentin kuban Miguel Díaz-Canel, si dhe me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe parlamentit. Ata thanë se qëllimi i vizitës ishte të shihnin nga afër pasojat e embargos dhe të vlerësonin mundësitë për dialog.
Në një deklaratë për mediat, Jonathan Jackson bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe ndalimin e retorikës kërcënuese. Sipas tij, Kuba është një nga vendet më të sanksionuara në botë dhe qytetarët po vuajnë pa arsye.
Nga ana e saj, Pramila Jayapal u shpreh se ka shenja të para të dialogut mes dy vendeve, por theksoi se ende nuk është arritur në një fazë të mirëfilltë negociatash. Ajo shtoi se ekziston vullneti për një marrëveshje të drejtpërdrejtë qeveri më qeveri.
Vizita e delegacionit amerikan vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës konsiderohen ndër më të tensionuarat në dekadat e fundit. Megjithatë, të dyja palët kanë konfirmuar se kontaktet diplomatike kanë nisur, ndonëse detajet mbeten të pakta.
Ndërkohë, autoritetet kubane kanë ndërmarrë disa hapa që konsiderohen si sinjale pozitive, përfshirë ftesa për investime nga emigrantët dhe plane për faljen e mijëra të burgosurve.
Ligjvënësit demokratë theksuan se ky mund të jetë një moment kyç për rifillimin e negociatave dhe për rishikimin e politikave të vjetra që, sipas tyre, nuk i kanë shërbyer as popullit amerikan dhe as atij kuban./mxh
