Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar dhe sekuestruar një anije pranë brigjeve të Venezuelës. Ky operacion vjen vetëm disa ditë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një bllokadë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Gjithashtu, ndalimi i anijes do të shënonte herën e dytë në javët e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës sekuestrojnë një anije cisternë pranë Venezuelës dhe që vjen në mes të një grumbullimi të madh ushtarak amerikan në rajon.
Zyrtarët amerikanë të cilët konfirmuan informacionin për Reuters, nuk specifikuan se ku po zhvillohet operacioni, por vetëm se Roja Bregdetare po e udhëheq atë.
“Po urdhëroj një bllokadë të plotë të të gjitha tankerëve të naftës të sanksionuar që shkojnë ose dalin nga Venezuela”, tha Trump të martën.
Pas sekuestrimit të tankerit të parë pranë Venezuelës javën e kaluar, ka qenë në fuqi një embargo joformale, me anije që transportojnë miliona fuçi naftë që mbeten në ujërat e Venezuelës për të shmangur sekuestrimin./mxh
