Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Francë, ku futbollisti Benjamin Pavard është bërë objekt i një tentative grabitjeje në banesën e tij.
Sipas raportimeve nga mediat franceze, gjithçka u zbulua falë reagimit të shpejtë të bashkëshortes së lojtarit, modeles shqiptare Kleofina Pnishi, e cila dyshohet se ka vënë re lëvizje të dyshimta pranë pronës dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Pesë persona, të cilët dyshohet se kishin hyrë në zonën përreth vilës me qëllim grabitjen, janë larguar me shpejtësi sapo janë diktuar. Ata po udhëtonin me një automjet tip “Mercedes”, por policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arritur t’i ndalojë vetëm pak minuta pas arratisjes.
Të dyshuarit, të moshës rreth 25 deri në 26 vjeç, janë arrestuar dhe po merren në pyetje nga autoritetet franceze. Sipas hetimeve paraprake, ata kishin ardhur nga rajoni Île-de-France me plan për të realizuar grabitjen.
Ende nuk është bërë e ditur nëse mbrojtësi francez ndodhej në banesë gjatë momentit të incidentit.
Sipas mediave lokale, raste të tilla janë shtuar kohët e fundit në zonën e Marseille, ku disa emra të njohur të futbollit kanë qenë objekt i tentativave të ngjashme kriminale./mxh
