Disa persona kanë humbur jetën pasi një tërmet me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter goditi Indonezinë mëngjesin e sotëm.
Guvernatori i Provincës Nusa Tenggara Lindore, Emanuel Melkiades Laka Lena, tha në një konferencë për shtyp se ata humbën jetën nga shembja e rrënojave.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë për të liruar këdo që është bllokuar në ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti dhe dhjetëra lëkundje pasuese që pasuan. Një paralajmërim për cunami u lëshua, por u hoq rreth tre orë pas lëkundjes fillestare.
Tërmeti goditi ishullin Flores pak para orës 05:00 sipas orës lokale. Ai kishte një thellësi prej 15 km, tha në një deklaratë agjencia indoneziane për Meteorologji, Klimatologji dhe Gjeofizikë. Lëkundje të forta pasuese u ndjenë në të njëjtën zonë, përfshirë një me magnitudë 6.1.
Agjencia kombëtare e vendit për zbutjen e fatkeqësive, e njohur si BNPB, këshilloi njerëzit të qëndrojnë të qetë dhe të qëndrojnë larg zonave bregdetare.
“Banorët duhet të shmangin gjithashtu hyrjen në ndërtesa, veçanërisht në ato që kanë pësuar tashmë çarje ose dëmtime strukturore. Një vlerësim i shpejtë është duke u zhvilluar aktualisht për të përcaktuar numrin e viktimave dhe shkallën e ndikimit. Ne do ta japim këtë informacion pasi të jenë verifikuar të dhënat”, tha BNPB.
Rreth 2,000 banorë në Nagekeo u evakuuan, ndërsa raportohen dëme në një numër ndërtesash. /kb
