Autoritetet hungareze do të fundosin dy barka në lumin Danub ditën e sotme për të rritur nivelin e ujit pranë centralit bërthamor të Paksit dhe për të shmangur ndalimin e njërës prej dy turbinave të tij të mbetura në punë, ndërsa nivelet e ujit po bien. Lajmin e ka njoftuar, kryeministri i vendit, Peter Magyar.
Centrali aktualisht operon me rreth 25% të kapacitetit të tij për shkak të thatësirës historike dhe niveleve rekord të ulëta të ujit në lumin Danub, nga i cili centrali bërthamor merr ujin ftohës.
Magyar tha në një postim në Facebook se parashikimet aktuale tregonin se niveli i ujit do të binte në nivelin kritik deri në orët e para të së hënës, moment në të cilin njëra nga dy turbinat në punë do të duhej të ndalej.
“Danubi po tërhiqet… Fundosja e kontrolluar e barkave do të fillojë së shpejti”, tha ai.
Qeveria e Hungarisë njoftoi të mërkurën se do të ndërtonte një “prag” në shtratin e lumit – një strukturë e zhytur, e ngjashme me një digë, e ndërtuar tërthorazi në fund të kanalit të lumit – për të menaxhuar rrjedhën e ujit. Kjo do të kërkojë javë të tëra.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se dy barka me gjatësi 80 metra do të zhyteshin pranë centralit bërthamor për të rritur nivelin e ujit në afat të shkurtër, në mënyrë që dy turbinat e centralit të mund të vazhdonin punën ndërkohë që pragu në shtratin e lumit ishte në ndërtim e sipër.
Rumania fqinje ndaloi punën e reaktorit të saj të fundit aktiv të enjten për shkak të nivelit të ulët të Danubit. Thatësira gjithashtu ngriti pikëpyetje në Hungari dhe Rumani mbi mënyrën se si energjia bërthamore mund t’i përshtatet një klime gjithnjë e më ekstreme. /Kb
