Miliarderi britanik Jim Ratcliffe ka kërkuar ndjesë publike këtë të enjte, pasi deklaratat e tij mbi emigracionin shkaktuan reagime të ashpra në Britaninë e Madhe.
Në një intervistë për “Sky News”, Ratcliffe u shpreh se vendi ishte “kolonizuar nga emigrantët”, duke argumentuar se niveli i lartë i migracionit dhe numri i personave që jetojnë me përfitime sociale po dëmtojnë ekonominë britanike.
Pas kritikave të shumta, biznesmeni deklaroi se i vjen keq për gjuhën e përdorur, duke theksuar se synimi i tij ishte të hapte një debat mbi nevojën për një emigracion të kontrolluar dhe të mirëmenaxhuar që, sipas tij, mbështet rritjen ekonomike.
Deklaratat e tij u dënuan menjëherë nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili i cilësoi si të gabuara dhe përçarëse, duke paralajmëruar se retorika e tillë mund të ushqejë ndasi në shoqëri.
Edhe Ministrja e Financave, Rachel Reeves, i quajti komentet “të neveritshme” dhe “të papranueshme”.
Reagime pati edhe nga grupe të tifozëve të Manchester United, klub në të cilin Ratcliffe zotëron rreth një të tretën e aksioneve. Klubi i tifozëve myslimanë deklaroi se termi “kolonizuar” përdoret shpesh nga grupe të ekstremit të djathtë për të portretizuar emigrantët si pushtues.
Jim Ratcliffe është themeluesi i gjigantit kimik INEOS dhe një nga biznesmenët më të suksesshëm në Britani. Deklaratat e tij kanë rihapur debatin mbi politikën e emigracionit, një nga çështjet më të ndjeshme në skenën politike britanike./mxh
