Last Updated on 02/03/2026 by Kesjana
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, më 2 Mars, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të masës kundër tij për “detyrim paraqitjeje”.
Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati shprehu mendimin e tij për kreun e ri të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhgën.
“Një armik i egër i ligjit. Një tradhtar i bashkëluftëtarit, i kolegut të tij që e dogjën të gjallë në makinë, kriminel Gjergj Mehmetin dhe ky ia mbath. Një tradhëtar që meriton të dënohet për tradhëti të lartë të paktën 30 vite dhe prandaj.
Hoqi Prodën se nuk mbrojti vilën e Enverit dhe vuri këtë kundër opozitës por ta dijë mirë që e ka të dënuar atë”, tha Berisha.
Mes të tjerash, Berisha vazhdoi akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
“…armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, avokatit të Irena Gjokës, Elvis Doçit, Altin Hajrit dhe Kreshnik Farrukut, me paralajmërimin se drejtësia vonon por nuk harron dhe krimi antikushtetues do marrë ndëshkimet më të rënda. Ky ishte dokumenti që i lashë në SKAP. Përsëri ka vetëm një çështje, në shtetin e Irenës me 5 emra, ka vetëm krim në vazhdim.
E morët vesh se ILD njoftoi se do të hapë proces disiplinor, për masë disiplinore. Megjithë dokumentat që ajo është një kriminele e dënuar në gjykatat e Greqisë, me gjithë dokumentacionin se ajo është një kriminele që ka mashtruar në formularët zyrtarë të Vettingut, dekriminalizimit dhe ILDKP-së. Të gjitha këto kundër nenit 6 të Kushtetutës, sipas të cilit, nuk mund të jenë punonjës në këto organe. Kështu Irena, mikesha e ngushtë, jo vetëm e Gys Agasit por edhe e Linda Ramës, është aty. Është një klub aty afër meje, dhe aty drekojnë e darkojnë rregullisht.“, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse do të vazhdojnë të hidhen bomba molotovi në protestat e opozitës, Berisha u shpreh se ato ishin paqësore.
“Protestat i kemi më paqësoret, nëse përdoren disa elementë piroteknikë, ato janë shprehje urrejtje ndaj Edi Ramës, por gjer sot protestat tona janë absolutisht paqësore. Do jenë paqësore dhe kjo është zgjidhje dhe jo imponim dhe ky është besimi ynë. Po, janë përdorur mjete piroteknike të cilat ju i quani bomba molotov, por nuk ka një njeri të plagosur prej tyre. E para nuk ka një polic të plagosur. Por ka protestues të plagosur në kokë me plumba gome.”, tha Berisha./kb
