Last Updated on 02/03/2026 by Anisa
Nga Erion Dasho
Gjatë javës është vështirë të ndjekësh çdo zhvillim mediatik në Shqipëri, kështu që edhe intervistën e ministres Sala në emisionin “Opinion” e kisha planifikuar ta ndiqja në fundjavë.
Ndërsa 30 minutëshi i parë ishte një përsëritje e podcastit që ministrja pati në fillim të marrjes së detyrës me shefin e vet, Boratin, 30 minutëshi i dytë u fokusua tek detyra e ministres. Gjatë pjesës së dytë të intervistës u trajtuan disa tema të rëndësishme dhe u cekën problemet më të mprehta që ka sot sistemi shëndetësor shqiptar.
Përveç temës së kujdesit onkologjik, ku edhe në intervista të mëparshme, kam konstatuar se ministrja flet me kompetencë, në të katër temat e tjera ku u ndal, bëri po aq gafa, fatkeqësisht, njëra më e rëndë se tjetra.
Gafa 1: po grumbullojmë indikatorët
Kur u pyet për reformën në shëndetësi, ministrja përmendi një punë të përbashkët që ka nisur me OBSH-në dhe Bankën Botërore. “Jemi duke grumbulluar indikatorët”, tha ministrja dhe përmendi shfrytëzimin e shtratit dhe kohëzgjatjen e qëndrimit! Gjashtë muaj i janë dashur ministres për të mësuar këta indikatorë që duhej t’i kishte vlerësuar që ditën e parë në detyrë!!! Po këta janë indikatorë që mblidhen që në kohën e Zogut dhe raportohen çdo vit jo vetëm brenda vendit, por edhe pranë institucioneve ndërkombëtare!
Gafa e dytë: do të ndryshojmë perceptimin
E përballuar me pyetjet e Z. Fevziu se ka një perceptim publik negativ për shëndetësinë, ministrja u përgjigj se do të punojë për të ndryshuar perceptimin! Këtë në fakt ka 13 vjet që e bën Borati, i cili vetëm lyen mure dhe mbjell lulishte, ndërsa paret ua transferon oligarkëve! Nga ministrja Sala pritet të punojë për përmirësimin e situatës skandaloze ku ndodhet shëndetësia dhe jo për të ndryshuar perceptimin. Këtë e bëjnë me “kompetencë” spin doctors dhe patronazhistët e klikimeve dhe pëlqimeve…
Gafa e tretë: le të hanë ëmbëlsira
Kur u përballua me çështjen e çmimeve të larta të barnave në Shqipëri krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian dhe cilësinë e ulët të tyre, ministrja i ra shkurt duke u përgjigjur se “nuk më ka rënë rasti të blej ilaçe dhe nuk i di çmimet”. Ndërsa lidhur me cilësinë e ulët të medikamenteve u përgjigj duke thënë se ka një institucion që merret me këtë çështje (nënteksti: “nuk është puna ime”). Deklaratë që tregon ministren po aq të shkëputur nga realiteti i përditshëm, sa edhe mbretëreshën franceze Mari Antoneta që u sugjeronte fshatarëve që nuk kishin bukë, të hanin ëmbëlsira.
Gafa e fundit: transformimi digjital
Këtu ministrja përmendi si sfidë interoperabilitetin dhe shkëmbimin e të dhënave, duke treguar se ende e kujton veten mjeke në Angli, Itali apo SHBA. Këto vende me të vërtetë kanë sfidë interoperabilitetin, sepse digjitalizimin e kanë zgjidhur prej dekadash. Në spitalet ku drejton zonja Sala kartelat shkruhen akoma me dorë, kurse programi i kartelës elektronike që ka pesë vjet në implementim, nuk është zbatuar ende në asnjë spital.
***
Dalja e radhës në media e ministres Sala tregoi edhe njëherë se ajo vazhdon të endet midis dëshirave utopike dhe mosnjohjes së realitetit ku e ka katandisur sistemin shëndetësor shqiptar miku i saj i fëmijërisë (kështu ju referua Boratit gjatë bisedës) së bashku me Beqen e vet të koncesioneve, Ogertën e tenderave të fshehtë si dhe klarinetistët e balerinat që drejtuan institucionet shëndetësore në këta 13 vjet.
Vetë zonja Sala nuk ka kuptuar akoma se njohja e situatës për një ministre mbyllet brenda javëve të para në detyrë dhe nuk pritet të kalojnë gjashtë muaj për të mësuar se sa është ditëqëndrimi dhe xhiro e shtratit!!!
Po kështu ministrja duhet të kuptojë se ka përgjegjësi politike për atë që ndodh në sistemin shëndetësor shqiptar dhe kjo përgjegjësi përfshin edhe institucionet e varësisë, pra edhe parkimin e QSUT-së që përmendi Blendi Fevziu dhe punën që duhet të kryejë Qendra e Kontrollit të Barnave për t’u garantuar shqiptarëve medikamente cilësorë dhe të sigurt.
Shqiptarët presin nga ministrja e tyre përgjegjshmëri dhe angazhim, jo fjalë në erë e premtime boshe!
Sikundër kanë dëgjuar jo pak gjatë muajve të saj të parë në detyrë…/A.D
