Një tragjedi ka ndodhur në brigjet greke pas përplasjes së anijes që transportonte disa emigrantë me një anije të Rojës Bregdetare Helenike në brigjet e ishullit të Kios. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës, ndërsa dyshohet se 15 nga emigrantët kanë humbur jetën, ku 14 trupa të pajetë u gjetën në det, ndërsa një grua ndërroi jetë në spital.
Gjithsej 25 të huaj (7 burra, 7 gra dhe 11 të mitur) u shpëtuan dhe u dërguan të plagosur në Spitalin Skylitseio, ndërsa dy anëtarë të ekuipazhit të anijes së rojes bregdetare u dërguan gjithashtu në të njëjtin spital për shkak të lëndimeve që pësuan.
Sipas Rojës bregdetare greke, anija e emigrantëve fillimisht nuk iu bind sinjaleve të dritës dhe thirrjeve të anijes së Rojës Bregdetare. Në vend të kësaj ndryshoi kurs dhe si pasojë goditi anën e djathtë anijes së rojës bregdetare, duke u fundosur menjëherë.
Ndërkohë raportohet se u zhvillua një operacion kërkim-shpëtimi, me pjesëmarrjen e katër anijeve të Rojës Bregdetare, një anijeje private me zhytës privatë, si dhe një helikopteri të Forcave Ajrore.
Lidhur me të plagosurit, gjendja e katër të emigrantëve që kanë lëndime serioze në organet jetësore dhe në kokë konsiderohet e rëndë. Tre prej tyre i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas autoriteteve greke, dy gra shtatzëna janë midis atyre që janë dërguar në spital. /Kb
