Një zjarr i rëndë në një ndërtesë banimi në qytetin jugor kinez të Shantou ka shkaktuar dymbëdhjetë viktima. Lajmi u konfirmua nga agjencia shtetërore Xinhua, e cila raportoi se zjarri shpërtheu të martën në mbrëmje, rreth orës 21:20 me orën lokale, në një godinë katërkatëshe.
Sipas autoriteteve, flakët u vunë nën kontroll rreth 40 minuta më pas, ndërsa ekipet e zjarrfikësve punuan për të shpëtuar banorët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në ndërtesat përreth. Hetimet për zbardhjen e shkakut të zjarrit janë ende në vazhdim.
Pamje të verifikuara nga Reuters tregojnë motoçikleta që kalonin me shpejtësi pranë ndërtesës së përfshirë nga flakët, teksa banorët shikonin të tronditur dhe zjarrfikësit luftonin për shuarjen e zjarrit. Agjencia ka arritur të verifikojë vendndodhjen e videos përmes elementeve të infrastrukturës dhe tabelave të bizneseve, të cilat përputheshin me imazhet referuese.
Departamenti i Zjarrfikësve në Shantou njoftoi në platformën Weibo se zjarri në ndërtesën e banimit në rrugën Danfeng është shuar rreth orës 22:00 të së martës. Autoritetet pritet të publikojnë detaje të tjera sapo të përfundojnë hetimet./mxh
