Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Rodopit në Greqi, ku 44-vjeçarja shqiptare Esma Meço u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Bujar Meço, mesditën e sotme.
Sipas mediave greke, çifti, me origjinë nga Shqipëria dhe nga Gramshi, ishte ndarë kohët e fundit. 44-vjeçarja kishte kohë që ishte larguar nga shtëpia dhe punonte sezonalisht jashtë Rodopit, ndërsa ishte kthyer në fshatin Dialambi për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.
Por kthimi në banesën familjare përfundoi në tragjedi. Sipas raportimeve paraprake, 53-vjeçari dyshohet se e sulmoi gruan dhe e goditi me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Ngjarja u zbulua mesditën e 26 gushtit, kur një i afërm e gjeti 44-vjeçaren brenda banesës, të plagosur rëndë me një mjet të mprehtë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin e Komotinit, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Pas ngjarjes, djali 19-vjeçar i çiftit e mori nënën e tij të gjakosur në krahë dhe e çoi në spital, me shpresën se mund të shpëtonte. Megjithatë, mjekët e njoftuan të riun se nëna e tij kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, vajza 16-vjeçare, e cila ndodhej në një dhomë tjetër të banesës, dyshohet se ka telefonuar autoritetet për të njoftuar për sulmin. Të dy fëmijët ndodhen në gjendje shoku.
Pas sulmit, 53-vjeçari dyshohet se është vetëplagosur dhe ka konsumuar naftë, në tentativë për t’i dhënë fund jetës. Ai u transportua me ambulancë në spital, ku po merr trajtim mjekësor nën mbikëqyrjen e policisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia greke e ka arrestuar Bujar Meçon si të dyshuar për vrasjen. Gjatë këqyrjes së banesës, autoritetet sekuestruan dy thika, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të krimit.
Për 53-vjeçarin është ngritur një çështje penale për vrasje me dashje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për armët.
Një detaj i rëndësishëm i bërë publik nga autoritetet është se në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, 53-vjeçari ishte arrestuar pasi Esma Meço e kishte denoncuar për kërcënim. Pas kallëzimit, ai ishte dërguar përpara autoriteteve gjyqësore.
Ky fakt e bën edhe më të rëndë ngjarjen e sotme, pasi sipas raportimeve bëhet fjalë për një çift që kishte pasur probleme dhe tensione edhe më herët.
Sipas autoriteteve greke, autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Komotini.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivin e krimit, ndërsa deklarimet e fëmijëve dhe personave të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen pritet të ndihmojnë në hedhjen e më shumë drite mbi momentet para dhe gjatë vrasjes./mxh
