Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Zjarret e verës përbëjnë një rrezik serioz për monumentet e kulturës dhe objektet e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër.
Krahas vëmendjes së shtuar për parandalimin e zjarreve në zonën historike të qytetit të gurtë, një kujdes i veçantë po i kushtohet siteve dhe parqeve arkeologjike.
Për shkak të pozicionit të tij gjeografik, Parku Arkeologjik i Antigonesë mbetet një ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut të flakëve gjatë kësaj periudhe.
“Gjatë kësaj periudhe në këtë park janë kryer punime mirëmbajtëse, kryesisht në eliminimin e bimësisë së rritur, pasi në këtë sezon me temperatura të larta ekziston rreziku i lartë nga zjarret”, u shpreh Ardis Duka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Në bashkëpunim me komunitetin e zonës së Lunxhërisë, po synohet të parandalohet çdo mundësi për përhapjen e zjarreve në territorin ku ndodhen rrënojat e Antigonesë.
“Pastrimi i monumenteve në park dhe ndërgjegjësimi i banorëve për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, janë hapa të domosdoshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, shton Duka.
Parku Arkeologjik i Antigonesë po njeh një rritje të ndjeshme të vizitueshmërisë gjatë kësaj vere, si nga turistët vendas ashtu edhe të huaj.
“Antigoneja ka pasur një rritje progresive të vizitorëve nga viti në vit. Aktualisht, vizitat janë rritur me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është një park që tërheq një kategori të veçantë vizitorësh, të interesuar për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore,” nënvizon drejtori i DRTK.
Kujdesi për parandalimin e zjarreve është shtuar edhe në sitet e tjera arkeologjike në Luginën e Drinos, si në Adrianopoli, Palokastër etj., ku po ndërmerren masa për mbrojtjen e vlerave historike. m.p.