Travis Kelce ka bërë deklaratat e para publike për martesën e tij me Taylor Swift, duke e cilësuar atë si natën më të veçantë të jetës së tij.
Ylli 36-vjeçar i Travis Kelce foli të mërkurën, më 12 gusht, me gazetarët gjatë përgatitjeve të ekipit të Kansas City Chiefs. Mes të tjerash, ai u ndal edhe te martesa me këngëtaren, e cila u zhvillua në Madison Square Garden.
Duke folur për mënyrën se si e kaloi periudhën jashtë sezonit, Kelce u shpreh se dasma ishte nata më e bukur e jetës së tij.
“Ishte një verë shumë argëtuese. Dasma ishte nata më e bukur e jetës sime dhe u jam mirënjohës të gjithëve që erdhën, festuan me ne dhe kaluan bukur.”
Ai e përshkroi mbrëmjen si “një natë të çmendur”, duke theksuar se ishte e mbushur me momente të shumta festimi. Tani, megjithatë, vëmendja e tij është rikthyer te sporti.
“Tani, futboll, zemër”, u shpreh ai.
Kelce dhe Taylor Swift u martuan më 3 korrik në Madison Square Garden, në prani të rreth 1.000 të ftuarve. Në mesin e tyre ishin disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it, mes tyre Julia Roberts, Tom Hanks, Reese Witherspoon, Laura Dern, Emma Stone dhe Brad Pitt.
Në dasmë morën pjesë gjithashtu shokët e skuadrës së Kelce te Chiefs dhe trajneri Andy Reid, si edhe yje të njohur, aktualë dhe ish-lojtarë të NFL-së, mes tyre Tom Brady dhe Rob Gronkowski. Një burim i tha revistës People pak pas ceremonisë se Taylor Swift dhe Travis Kelce ishin “shkëlqyeshëm” gjatë gjithë mbrëmjes.
Çifti u kujdes që dasma të mbahej larg vëmendjes së publikut, duke bërë gjithçka të mundur që ceremonia të mbetej private dhe të mos publikoheshin fotografi nga dita e tyre e veçantë.
Edhe vëllai i Travis, Jason Kelce, është shprehur i habitur nga fakti se deri më tani nuk është publikuar asnjë fotografi autentike nga ceremonia.
“Nuk kam parë asnjë fotografi autentike nga dasma. Është e jashtëzakonshme”, u shpreh ai për radion SportsRadio 94WIP./kb
