Travis Kelce ka folur hapur për mënyrën si duhet t’i afrohesh dikujt që të pëlqen, duke lënë të kuptohet edhe si arriti të krijojë lidhjen me superyllin e muzikës, Taylor Swift.
Në podcast-in e tij New Heights, që e moderon bashkë me vëllain Jason Kelce, lojtari i Kansas City Chiefs u pyet se si mund ta ftosh dikë në një takim. Përgjigjja e tij ishte surprizisht e thjeshtë: sinqeritet dhe vetëbesim.
Sipas Kelce, hapi i parë është të vëresh detajet që të tërheqin tek personi tjetër dhe t’i shprehësh hapur. “Gjej çfarë të pëlqen tek ajo mënyra si flet, si vishet, sensi i humorit apo mirësia dhe thuaje. Një kompliment i sinqertë është një fillim i shkëlqyer,” u shpreh ai.
Sportisti theksoi se çelësi i suksesit është guximi për ta hedhur hapin e parë. “Thjesht bëje. Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë? Mund të të thotë jo,” tha ai me sportivitet.
Historia e tij me Taylor Swift tashmë është bërë një nga romancat më të komentuara në botën e showbiz-it. Çifti u fejua në vitin 2025, pasi lidhja e tyre nisi në mënyrë krejt spontane: Kelce kishte tentuar t’i jepte këngëtares një byzylyk miqësie gjatë turneut “Eras Tour”. Një gjest i thjeshtë që, mesa duket, u kthye në fillimin e një historie dashurie të suksesshme./mxh
