Pamjet e kamerave të sigurisë pranë banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, kanë fiksuar një person të dyshuar si vendosësi i lëndës shpërthyese në banesën e tij.
Sipas asaj që raportohet në media, i njëjti individ dyshohet se është autori edhe i shpërthimit të tritolit në një lokal në Kamëz, si dhe i të paktën gjashtë ngjarjeve të tjera të ngjashme të ndodhura gjatë vitit të fundit në Tiranë dhe Kamëz.
Sipas të dhënave, në të gjitha ngjarjet personi shfaqet me të njëjtat metoda, i maskuar si punëtor ose me veshje të errëta dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes me biçikletë. Identiteti i tij ende nuk është konfirmuar nga policia.
Në lidhje me shpërthimin e lëndës plasëse në një lokal në Kamëz janë vënë në pranga tre persona: J.L., F.D. dhe F.M.
Sipas burimeve, disa ditë para ngjarjes, F.D., që zotëron një biznes pranë lokalit, ka thirrur pronarin e lokalit, S.S., duke i komunikuar se po e kërkonte J.L. Takimi mes tyre përfundoi me një konflikt verbal, ku Lami dyshohet se i ka kërkuar S.S. 500 mijë euro, duke e kërcënuar se përndryshe do të shikonte pasojat. S.S. ka mohuar të ketë ndonjë njohje me personat në fjalë dhe ka refuzuar pagesën.
Pas incidentit, S.S. është larguar drejt Italisë, ku jeton prej vitesh.
Ndërkohë, sipas hetimit, F.M. ka kontaktuar dy kunetërit që kishin me qira biznesin, duke i paralajmëruar se nuk do ta gëzonin dot lokalin.
Ndërsa tre të arrestuarit po hetohen nga autoritetet për ngjarjen në Kamëz, hetuesit dyshojnë se personi i paidentifikuar i fiksuar nga kamerat mund të jetë anëtar i të njëjtit grup dhe i përfshirë në të gjitha sulmet e garzuara me tritol. Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij./ K.M
