Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbrojtur me tone të ashpra operacionin më të madh të administratës së tij kundër emigracionit të paligjshëm, pas dy vrasjeve të qytetarëve amerikanë gjatë ndërhyrjeve të agjentëve federalë në Minneapolis.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump fajësoi demokratët për atë që e quajti “kaos i shkaktuar nga qytetet që i strehojnë”, duke thënë se refuzimi i bashkëpunimit me autoritetet federale po rrezikon jetën e qytetarëve.
“Gjatë katër viteve të Joe Biden dhe lidershipit të dështuar demokrat, dhjetëra kriminelë të huaj të paligjshëm erdhën në vendin tonë, duke përfshirë qindra mijëra vrasës të dënuar, përdhunues, rrëmbyes, trafikantë droge dhe terroristë. Do të nisim dëbimin masiv të kriminelëve të huaj të paligjshëm në historinë amerikane”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, vetëm në pesë shtete të drejtuara nga republikanët, Teksas, Xhorxhia, Florida, Tenesi dhe Luiziana, janë arrestuar mbi 150 mijë emigrantë të paligjshëm.
Ndërkohë, situata në Minneapolis është përshkallëzuar pas vrasjes së infermierit Alex Pretti këtë fundjavë, dhe të qytetares Renee Good më 7 janar, gjatë operacioneve të agjentëve federalë.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka aktivizuar Gardën Kombëtare, ndërsa qindra protestues kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar përdorimin e forcës nga autoritetet federale.
Demonstrata janë shënuar edhe në Nju Jork, Uashington dhe San Francisko.
Administrata Trump insiston se operacioni do të vazhdojë, duke e konsideruar atë thelbësor për sigurinë kombëtare dhe për luftën kundër krimit të organizuar./kb
