Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump njoftoi sot planin për të lehtësuar kufizimet mbi çlirimin e metanit nga industria amerikane e naftës dhe gazit, duke argumentuar se rregullat e vendosura gjatë administratës së paraardhësit të tij, Joe Biden, janë të kushtueshme dhe pengojnë prodhimin vendas të energjisë, sipas AP.
Trump e bëri njoftimin, gjatë një tubimi në Teksas, ku deklaroi se ndryshimet synojnë të ulin kostot për bizneset dhe konsumatorët, si dhe të bëjnë më të lehtë rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit në SHBA.
Sipas presidentit amerikan, lehtësimi i rregullave do të kursente 45 miliardë dollarë për kompanitë e energjisë dhe konsumatorët, ndërsa do të mundësonte nxjerrjen e 210 milionë fuçive shtesë naftë.
Këto shifra janë pretendime të administratës amerikane dhe nuk përfaqësojnë kursime të realizuara.
Rregullat e miratuara gjatë administratës Biden, synonin të pakësonin çlirimin e metanit nga puset dhe pajisjet e përdorura në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës dhe gazit.
Ato kërkonin që kompanitë të kontrollonin rregullisht pajisjet, të zbulonin rrjedhjet e gazit dhe t’i riparonin ato.
Plani i administratës Trump parashikon lehtësimin e disa prej këtyre detyrimeve, veçanërisht për puset e vogla që prodhojnë sasi të kufizuara nafte dhe gazi.
Gjithashtu, synohet të hiqet programi që u kërkon kompanive të hetojnë dhe të marrin masa, kur organizata të jashtme raportojnë rrjedhje të mëdha metani.
Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me djegien e gazit të tepërt në puset e naftës.
Rregullat e mëparshme synonin të kufizonin këtë praktikë dhe të nxisnin mbledhjen e gazit, në vend që ai të digjej ose të çlirohej në atmosferë.
Administrata amerikane argumenton se kërkesat ekzistuese, rrisin shpenzimet e prodhuesve dhe mund të pengojnë veprimtarinë e kompanive të vogla.
Kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin deklaroi se rregullat e mëparshme do t’i kushtonin industrisë rreth 18 miliardë dollarë.
Metani dhe ndikimi në klimë
Metani është përbërësi kryesor i gazit natyror dhe një nga gazrat që kontribuojnë në ngrohjen globale.
Ai çlirohet nga rrjedhjet në pajisjet e naftës dhe gazit, si dhe gjatë disa proceseve të prodhimit dhe përpunimit të tyre.
Shkencëtarët vlerësojnë se metani ka kontribuar në rreth një të tretën e ngrohjes globale, që nga periudha para industrializimit.
Për këtë arsye, pakësimi i çlirimit të tij është konsideruar si një nga masat e rëndësishme për kufizimin e ndryshimeve klimatike.
Gjatë administratës Biden, autoritetet amerikane vlerësuan se rregullat e vitit 2024, mund të parandalonin çlirimin e rreth 58 milionë tonëve metan deri në vitin 2038.
Ato synonin gjithashtu të pakësonin ndotës të tjerë, që ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe shëndetin e njerëzve.
Organizatat mjedisore kanë kundërshtuar planin e ri, duke paralajmëruar se lehtësimi i kontrolleve, mund t’u lejojë kompanive të vazhdojnë të çlirojnë sasi të mëdha metani në atmosferë.
Sipas tyre, gazi që humbet nga rrjedhjet mund të mblidhet dhe të përdoret si burim energjie, në vend që të shpërdorohet.
Propozimi është pjesë e politikës së administratës Trump, për të kufizuar rregullat mjedisore të miratuara gjatë presidencës Biden dhe për të nxitur prodhimin vendas të lëndëve djegëse fosile.
Ndryshimet e propozuara duhet të kalojnë procedurën përkatëse rregullatore.
EPA ka parashikuar një periudhë konsultimi publik, gjatë së cilës palët e interesuara mund të paraqesin komente për propozimin./mxh
