Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se çdo vonesë e mundshme e vizitës së Presidentit Donald Trump në Pekin, e cila ishte planifikuar nga 31 marsi deri më 2 prill, do të lidhet me nevojën e Trump për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara dhe jo me mosveprimin e Kinës mbi Kanalin e Hormuzit, për shkak të tensioneve me Iranin.
Bessent dhe Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng zhvilluan dy ditë bisedimesh në Paris për të përgatitur takimin e pritur Trump–Xi Jinping. Në fokus ishin çështjet tregtare, përfshirë tregtinë me metale të rralla dhe zgjerimin e eksporteve amerikane të bujqësisë dhe energjisë drejt Kinës.
Përfaqësuesi amerikan i tregtisë, Jamieson Greer, theksoi se palët diskutuan gjithashtu politikën tregtare të SHBA-së pas vendimit të Gjykatës së Lartë që kufizoi fuqinë e presidentit për të vendosur tarifa, duke ulur shkallën mesatare të tarifave ndaj mallrave kineze nga 32.4% në 22.3%.
Vizita e Trump në Pekin do të ishte takimi i parë i tij me Presidentin kinez Xi Jinping që nga viti 2017 dhe vjen në një periudhë sfidash globale, ku përfshihen tensionet me Iranin dhe çështjet tregtare SHBA–Kinë./mxh
