Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një marrëveshje të re për sigurinë e Groenlandës me Danimarkën dhe autoritetet e ishullit, duke i hapur rrugë zgjerimit të pranisë ushtarake amerikane në territor.
Marrëveshja u nënshkrua të martën në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nga Trump, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen.
Sipas marrëveshjes, SHBA do të mund të modernizojë dhe zgjerojë bazën aktuale ushtarake Pituffik Space Base, ndërsa parashikohet krijimi i zonave të reja të mbrojtjes në Narsarsuaq dhe Mestersvig.
Dokumenti i jep gjithashtu ushtrisë amerikane akses dhe lëvizje të lirë mes zonave të mbrojtjes në Groenlandë, përfshirë ujërat territoriale, me rrugë tokësore, ajrore dhe detare. Avionët amerikanë do të mund të fluturojnë dhe të ulen në çdo pjesë të territorit të ishullit.
Trump kishte deklaruar më herët se marrëveshja do t’i jepte Uashingtonit “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Groenlandës. Ai tha gjithashtu se asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të mund të krijojë bazë ushtarake, të mbajë prani ushtarake apo të kryejë investime strategjike në Groenlandë pa miratimin e Uashingtonit.
Marrëveshja, megjithatë, nuk përmbush kërkesën e mëparshme të Trump për marrjen e Groenlandës nga SHBA. Frederiksen dhe Nielsen e kanë mirëpritur marrëveshjen, duke theksuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe të drejtës së popullit groenlandez për vetëvendosje.
Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kishte deri në 17 instalime ushtarake dhe më shumë se 10 mijë trupa në Groenlandë. Aktualisht, Uashingtoni operon vetëm bazën Pituffik, instalimi më verior i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, e cila përdoret për paralajmërimin dhe mbrojtjen nga raketat, si dhe për mbikëqyrjen hapësinore.
