Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara kanë filluar të bisedojnë me udhëheqësit e Kubës, ndërsa administrata e tij po ushtron më shumë presion mbi ishullin e drejtuar nga komunistët dhe po ndërpret furnizimet kryesore me naftë.
Ai e bëri këtë koment për gazetarët të shtunën në mbrëmje ndërsa po udhëtonte drejt Floridës. Kjo vjen pas lëvizjeve të tij në javët e fundit për të ndërprerë furnizimet me naftë nga Venezuela dhe Meksika, gjë që sipas presidentit amerikan do ta detyronte Kubën të ulej në tryezën e negociatave.
Qëllimet e tij me Kubën mbeten të paqarta, por Trump e ka drejtuar më shumë vëmendjen ndaj ishullit pasi administrata e tij në fillim të janarit arrestoi ish-presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro dhe ka qenë më agresive në përballjen me kombet që janë kundërshtare të SHBA-ve.
Trump ka parashikuar se qeveria e Kubës është gati të bjerë.
Presidenti republikan nuk dha asnjë detaj mbi nivelin e kontaktit që administrata e tij ka pasur së fundmi me Kubën ose kur, por thjesht tha: “Ne po fillojmë të flasim me Kubën.”
Lëvizjet e tij të fundit për të ndërprerë furnizimet me naftë e kanë vënë ishullin nën presion.
Javën që lamë pas, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë mbi çdo mall nga vendet që shesin ose furnizojnë naftë për Kubën. Ky veprim ushtroi presion mbi Meksikën, nga e cila Kuba u bë e varur për naftë pasi Trump ndaloi dërgesat e naftës nga Venezuela pas rrëzimit të Maduros.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, paralajmëroi se kjo mund të shkaktojë një krizë humanitare. Ajo tha të premten se do të kërkonte alternativa për të vazhduar ndihmën ndaj Kubës.
“Kjo nuk ka pse të jetë një krizë humanitare. Mendoj se ndoshta ata do të vijnë tek ne dhe do të duan të bëjnë një marrëveshje,” tha Trump të shtunën sipas Associated Press. “Kështu Kuba do të ishte përsëri e lirë.”
Ai parashikoi se SHBA-të do të arrijnë një lloj marrëveshjeje me Kubën dhe tha: “Mendoj, e dini, ne do të jemi të sjellshëm.”/kb
