Donald Trump ka deklaruar se do të urdhërojë agjencitë federale të nisin publikimin e dosjeve qeveritare që lidhen me alienët dhe objektet fluturuese të paidentifikuara duke theksuar se ekziston një interes i lartë publik për këtë çështje.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se do t’i kërkojë Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe agjencive të tjera përkatëse, të bëjnë publike informacionet, duke e cilësuar temën si “jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme”.
Më herët gjatë ditës, Trump akuzoi ish-presidentin Barak Obama për zbulim të papërshtatshëm të informacionit të klasifikuar gjatë deklaratave të tij publike mbi alienët, duke thënë se ai “ka bërë një gabim të madh”.
Në një intervistë të publikuar më 14 shkurt me podkasterin Brian Tyler Cohen, Obama u pyet nëse alienët ekzistojnë.
Ai u shpreh se beson në ekzistencën e jetës jashtëtokësore, duke theksuar se probabiliteti statistikor është i lartë për shkak të përmasave të universit, por shtoi se nuk ka prova për vizita të tyre në Tokë.
Obama gjithashtu mohoi pretendimet se alienët po mbahen në Area 51, një bazë e klasifikuar e Forcave Ajrore në Nevada, e cila prej dekadash ka qenë objekt spekulimesh nga teori konspirative. Arkivat e CIA-s të publikuara në vitin 2013 konfirmuan se zona është përdorur si vend testimi për avionë spiunë tepër sekretë.Në vitet e fundit, Pentagoni ka hetuar raportimet për UFO. Në vitin 2022, drejtues të lartë ushtarakë deklaruan se nuk kishte prova që sugjeronin vizita apo rrëzime të mjeteve jashtëtokësore në Tokë.
Një raport i Pentagonit i vitit 2024 theksoi se hetimet e qeverisë amerikane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk kanë gjetur asnjë provë për teknologji jashtëtokësore, ndërsa shumica e rasteve të raportuara rezultuan të ishin objekte apo fenomene të zakonshme të keqidentifikuara.
Sipas faqes zyrtare të Arkivave Kombëtare të SHBA-së, ekzistojnë dokumente të shumta mbi UFO-t të shpërndara në koleksione të ndryshme arkivore./MXH
