Këngëtarja Jessie J ka njoftuar ndarjen nga partneri i saj prej pesë vitesh, basketbollisti Chanan Colman, me të cilin ka një djalë. Ajo e ka cilësuar këtë si një situatë shumë të trishtueshme dhe të vështirë.
Këngëtarja publikoi të hënën, më 20 korrik, një fotografi familjare të tyre në Instagram dhe theksoi se ky vendim nuk ishte i lehtë për asnjërin prej tyre. Megjithatë, dëshira e tyre është që ta përballojnë këtë ndryshim privatisht, duke pasur si prioritet mirëqenien e djalit të tyre trevjeçar.
“Chanan dhe unë vendosëm pak kohë më parë t’i japim fund marrëdhënies sonë romantike. Kjo është një situatë e trishtueshme dhe e vështirë, megjithatë jemi përqendruar ta menaxhojmë këtë ndryshim privatisht dhe në mënyrë pozitive, për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe të lumtur bashkëprindërimi për djalin tonë, por edhe për veten tonë”, shkroi ajo.
Jessie J shtoi se donte ta bënte vetë publike të vërtetën, përpara se të nisnin të qarkullonin thashetheme për marrëdhënien e tyre. Ajo gjithashtu sqaroi se pavarësisht ndarjes, paraqitjet e tyre të përbashkëta dhe postimet në rrjetet sociale nuk do të ndalen.
“Fatkeqësisht, për shkak të ekspozimit publik, kjo është mënyra më e lehtë për t’u treguar njerëzve të vërtetën, përpara se të fillojnë të qarkullojnë thashetheme ose të krijohet një imazh i gabuar. Ne do të vazhdojmë gjithmonë ta mbështesim njëri-tjetrin me dashuri, respekt dhe kujdes si miq dhe, mbi të gjitha, si prindër të Sky-t.
Kështu, nëse na shihni jashtë së bashku si familje ose nëse publikojmë herë pas here njëri-tjetrin në rrjetet sociale, kjo është pikërisht ajo që do të thotë. Ne do të vazhdojmë ta rrisim dhe ta duam Sky-n së bashku, duke u bazuar në një marrëdhënie miqësore, pozitive dhe të shëndetshme”, u shpreh ajo.
Jessie J është një këngëtare britanike, e njohur ndërkombëtarisht për hitet si “Price Tag”, “Domino” dhe “Bang Bang”. Ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në muzikën pop dhe është vlerësuar për vokalin e saj të fuqishëm dhe performancat energjike.
Jessie J nuk është martuar me Chanan Colman, por ka qenë në një lidhje disavjeçare me basketbollistin danezo-izraelit. Çifti e mbajti kryesisht private marrëdhënien e tyre dhe në vitin 2023 mirëpritën fëmijën e tyre, Sky./mxh
