Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka parashikuar se lufta në Iran do të “mbarojë shpejt” dhe thotë se shumica e njerëzve e “kuptojnë” qëllimin e tij për t’i dhënë fund ambicieve bërthamore të Teheranit.
Komentet e tij vijnë pasi Irani tha se një propozim i SHBA-së për t’i dhënë fund luftës është “ende duke u shqyrtuar”.
Agjencia amerikane e lajmeve Axios raportoi se Shtëpia e Bardhë beson se mund të jetë duke u afruar drejt një memorandumi mirëkuptimi prej 14 pikash me Iranin, i cili mund të vendosë një kornizë për negociata më të hollësishme bërthamore.
Një anëtar i lartë i parlamentit të Iranit e ka hedhur poshtë atë si një “listë dëshirash”, ndërsa një zëdhënës i ministrisë së jashtme tha se Teherani do të ndajë pikëpamjet e tij për një propozim të SHBA-së me ndërmjetësit pakistanezë.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit tha se vendi i tij po “përpiqej ta shndërronte këtë armëpushim në një përfundim të përhershëm të kësaj lufte”.
Në raportin e saj , Axios e përshkruan memorandumin si një memo me një faqe dhe 14 pika, e cila mund të vendosë një kornizë për negociata më të hollësishme bërthamore.
Ndër dispozitat që rendit janë pezullimi i pasurimit bërthamor iranian, heqja e sanksioneve dhe rivendosja e tranzitit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai citon dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera – të gjithë të paidentifikuar – të cilët i përshkruan si të informuar mbi çështjet. Këto burime raportohet të kenë thënë se shumë nga kushtet e përcaktuara në memorandum do të varen nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se dy burime të informuara mbi ndërmjetësimin midis SHBA-së dhe Iranit kishin konfirmuar informacionin e raportuar fillimisht nga Axios, por propozimi nuk është paraqitur publikisht.
Duke folur gjatë një eventi virtual të fushatës të mërkurën në mbrëmje, Trump u tha republikanëve në shtetin e Xhorxhias se ishte optimist se lufta do të mbaronte së shpejti.
Ai shtoi se shumica e njerëzve e kuptuan se kishte të drejtë që ia mohoi Iranit mundësinë për të pasur një armë bërthamore.
Më herët gjatë ditës, presidenti tha se SHBA-të kanë pasur “bisedime shumë të mira me Iranin në 24 orët e fundit” dhe se kjo marrëveshje është e mundur, duke theksuar se çdo vështirësi e shkaktuar për amerikanët – për shkak të çmimeve të larta të karburantit – do të jetë afatshkurtër./kb
