Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë deri në 50 milionë fuçi naftë Shteteve të Bashkuara dhe se të ardhurat do të kontrollohen nga ai si president.
Trump njoftoi se plani do të ekzekutohej menjëherë nga Sekretari i Energjisë Chris Wright.
“Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do t’i dorëzojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës midis 30 dhe 50 MILIONË fuçi naftë të sanksionuar me cilësi të lartë. Kjo naftë do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe ato para do të kontrollohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara”,-postoi Trump në rrjetet sociale.
Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë hartuar një kornizë ligjore për sekuestrimin e naftës venezueliane, megjithëse SHBA-të kanë akuzuar tankerët venezuelianë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së për të transportuar naftë iraniane dhe venezueliane.
Trump ka sugjeruar gjithashtu se SHBA-të do të ndihmojnë në rindërtimin e infrastrukturës së naftës së vendit në dobi të kompanive të mëdha të naftës si Exxon Mobil dhe ConocoPhillips, të cilat u prekën nga një shtetëzim i naftës venezueliane nga ish-Presidenti Hugo Chavez, dhe Chevron Corp, e cila ka vazhduar të operojë atje./K.M
