Zv.kryeministrja Belinda Balluku prezantoi sot, 28 tetor drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu. Ky i fundit, ish-ministër për Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturën në Kosovë, në qeverinë “Kurti 2” ndërsa dha dorëheqje më 27 gusht të këtij viti nga ky post.
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu, i nderuar nga qeveria e Shqipërisë, nga zv.kryeministrja Balluku për një detyrë që më është besuar dhe është mjaft sfiduese. Është port i të gjithë shqiptarëve, i rajonit, por nga ku Kosova merr pjesën më të madhe të mallrave”, tha fillimisht Liburn Aliu.
“Kosova ka nevojë të ketë një lidhje të fortë me portin e Durrësit, kjo sasi mallrash të shumëfishohet, kjo do të ndihmonte që ajo varësi mes dy vendeve t’i bëjë më të zhvilluara ekonomikisht dhe më të sigurta”, tha Aliu.
“Mbase më shihni si të Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë, nuk është e lehtë, por këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe pas 3 vitesh ta shohim portin të lidhur me rrjete me të gjithë rajonin”, përfundoi Aliu.
“Do jetë dhëndër Shqipërie, anon më shumë nga qytetari i Shqipërisë tanimë, megjithatë e thamë, porti është i gjithë shqiptarëve”, përfundoi Balluku për Aliun./ K.M
