Pas gati tre dekadash në burg për një vrasje makabre, Christa Pike ishte planifikuar të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në shtetin amerikan të Tennessee-t në 200 vjet. Por ekzekutimi nuk shkoi sipas planit.
50-vjeçarja i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit, një medikament që përdoret në injeksionet vdekjeprurëse. Ajo kaloi më shumë se një javë në spital dhe më pas u rikthye në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa e ardhmja e saj mbetet e pasigurt.
Rasti i Pike, e cila mbijetoi pas një injeksioni vdekjeprurës të dështuar, është i paprecedentë. Ngjarja ka çuar në pezullimin e ekzekutimeve në Tennessee dhe ka rihapur debatin mbi sigurinë, besueshmërinë dhe aspektin human të dënimit me vdekje.
Një muaj pas ekzekutimit të dështuar, Pike bëri deklaratat e para publike, duke treguar se po përjeton dhimbje të vazhdueshme fizike dhe psikologjike. Më poshtë është kronologjia e ngjarjeve, nga krimi që e çoi në korridorin e vdekjes, te beteja ligjore dhe tentativa e dështuar për ekzekutimin e saj.
Ekzekutimi i dështuar ngre pikëpyetje për të ardhmen e saj
30 tetor: Christa Pike bën deklaratat e para publike që prej tentativës për ekzekutimin e saj në Tennessee. Ajo tha se ishte “e përgatitur të vdiste”, por në vend të kësaj ishte zgjuar e vetme në një spital, e hutuar dhe në dhimbje.
Gjatë muajit të fundit, sipas deklaratës së publikuar nga avokatët e saj, Pike kishte qëndruar kryesisht e izoluar në repartin mjekësor të burgut, larg njerëzve dhe kontakteve njerëzore.
“Ky izolim sjell dhimbjen e vet. Kam kaluar 28 vjet në izolim dhe shumë nga ato që po përjetoj sot janë një përsëritje e asaj gjendjeje”, deklaroi ajo.
Në të njëjtën ditë, avokatët paraqitën një kërkesë urgjente në gjykatë, duke kërkuar largimin e saj nga izolimi pa afat në infermierinë e burgut. Ata iu referuan një marrëveshjeje të vitit 2024 me shtetin, e cila i dha fund izolimit të saj në korridorin e vdekjes dhe i mundësoi të punonte e të shoqërohej me gra të tjera të burgosura.
Ndërkohë, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, njoftoi emërimin e Christopher Hansen si komisioner të përkohshëm të Departamentit të Korrektimeve, pas largimit të Frank Strada-s në fillim të muajit. Hansen drejton aktualisht operacionet e departamentit për lirimin me kusht dhe mbikëqyrjen e personave në liri me kusht.
22 tetor: Avokati i Pike, Randy Spivey, deklaroi se anëtarët e ekipit të ekzekutimit kishin paralajmëruar se disa nga venat e saj mund të ishin dëmtuar ose çarë gjatë përpjekjeve për vendosjen e linjave intravenoze në krahë. Avokati paraqiti në një dokument gjyqësor një përshkrim të detajuar të tentativës për ekzekutim.
13 tetor: Departamenti i Komunikimeve të Emergjencave në Nashville i tha CNN se kishte ndjekur procedurat standarde pas marrjes së telefonatës 911 nga burgu i sigurisë së lartë.
Sipas autoriteteve, ekipet e emergjencës u dërguan në zonën pranë burgut, ndërsa operatorët përpiqeshin të verifikonin situatën. Telefonatat nga burgu duhet të shoqërohen me një kod verifikimi, për të parandaluar telefonatat e rreme dhe tentativat për arratisje. Sipas zyrtarëve, telefonuesi nuk e kishte dhënë këtë kod.
12 tetor: Regjistrimet audio dhe transkriptet e telefonatave 911 pas ekzekutimit të dështuar, të siguruara nga Associated Press, zbuluan se ndihma mjekësore për Pike ishte vonuar për shkak të konfuzionit dhe keqkomunikimit mes ekipeve të emergjencës dhe autoriteteve të burgut.
10 tetor: Pike del nga spitali dhe rikthehet në burg.
Avokatët e saj deklaruan se ajo po përballej me një traumë të rëndë psikologjike, pasi kishte përjetuar tmerrin dhe dhimbjen e besimit se po i vinte fundi i jetës. Sipas tyre, mund të duheshin muaj për të përcaktuar nëse ajo kishte pësuar dëmtime të përhershme njohëse.
Nëse Pike shpallet e aftë mendërisht për të përballuar procesin gjyqësor, avokatët e saj mund të argumentojnë se një tentativë e dytë ekzekutimi do të shkelte mbrojtjen kushtetuese kundër gjykimit ose ndëshkimit të dyfishtë për të njëjtën vepër penale.
7 tetor: Më shumë se një javë pas ekzekutimit të dështuar, avokatët e Pike u paraqitën në një gjykatë në Nashville për të nisur betejën ligjore kundër një tentative të dytë për ekzekutimin e saj. Mbetet e paqartë nëse Tennessee do të tentojë sërish ta ekzekutojë. Vendimi mund të varet nga një proces gjyqësor ose nga ndërhyrja e guvernatorit.
6 tetor: Pike rifiton vetëdijen në spital.
“Rikuperimi i saj është i paprecedentë nga pikëpamja mjekësore. Prognoza mbetet e paqartë, por presim që rikuperimi të jetë i gjatë”, deklaruan avokatët e saj.
3 tetor: Guvernatori Bill Lee njofton se Frank Strada, komisioneri i Departamentit të Korrektimeve, do të largohej së shpejti nga detyra.
Strada ishte emëruar më pak se tre vjet më parë për të drejtuar departamentin dhe për të reformuar sistemin e ekzekutimeve në Tennessee, pas shqetësimeve të vazhdueshme mbi mënyrën e zbatimit të dënimit me vdekje. Ky ishte ekzekutimi i dytë i dështuar gjatë periudhës kur Strada drejtonte departamentin.
1 tetor: Ekzekutimi i radhës në Tennessee pezullohet, ndërsa guvernatori urdhëron një hetim të pavarur për mënyrën se si Departamenti i Korrektimeve kishte organizuar dhe zbatuar tentativën e ekzekutimit të Pike.
Dështon ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës
30 shtator: Christa Pike dërgohet pa ndjenja në një spital pranë Nashville-t.
Departamenti i Korrektimeve i Tennessee-t deklaroi se kishte ndjekur protokollin standard, përfshirë përdorimin e një injeksioni të dytë me pentobarbital në rast se i burgosuri mbijetonte pas dozës së parë. Megjithatë, protokolli nuk parashikonte se çfarë duhej bërë nëse edhe injeksioni i dytë dështonte.
Avokatët e Pike besojnë se komplikacionet gjatë vendosjes së linjave intravenoze bënë që ilaçi vdekjeprurës të përfundonte në indet e trupit dhe jo në qarkullimin e gjakut.
Kronologjia e natës së ekzekutimit, sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të publikuara:
18:41: Dëshmitarët nga mediat dhe zyrtarët futen në dhomën e posaçme ku do të ndiqnin ekzekutimin.
19:26: Hapet për herë të parë grila e dritares së dhomës së ekzekutimit. Pike jep deklaratën e saj të fundit: “Dua vetëm të them se do të largohem nga kjo botë ashtu siç kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Dhe kjo është me dashuri”. Më pas administrohen ilaçet e ekzekutimit.
Sipas avokatëve, gjatë procedurës ekzekutuesit hasën vështirësi në vendosjen e linjave intravenoze. Ekipit iu desh rreth një orë për të siguruar aksesin në venat e saj dhe u përdorën afërsisht 10 gjilpëra.
19:34: Pike deklaron se krahu i saj ndihej sikur do të shpërthente, por ajo vazhdon të jetë e vetëdijshme. Gjatë minutave në vijim, dëshmitarët raportojnë se ajo fliste, merrte frymë, rënkonte dhe gërhiste.
19:46: Grilat e dhomës së ekzekutimit mbyllen. Sipas një dëshmitari nga mediat, kjo nënkuptonte administrimin e një doze të dytë pentobarbitali, në përputhje me protokollin e Tennessee-t. Avokatët e saj konfirmuan më vonë se ishte dhënë një dozë e dytë.
19:49: Grilat hapen sërish.
20:05: Pike duket se humbet vetëdijen. Grilat mbyllen, por dëshmitarët mund të dëgjojnë frymëmarrjen e saj të rëndë.
20:15: Dëshmitarët vazhdojnë të dëgjojnë tinguj që vijnë nga Pike. Avokati i saj i kërkon stafit të burgut të ndërpresë ekzekutimin. Ai shoqërohet në një dhomë tjetër, ku telefonon anëtarët e tjerë të ekipit ligjor për të kërkuar ndihmë në ndalimin e procedurës.
Rreth orës 20:40: Sipas Departamentit të Komunikimeve të Emergjencave në Nashville, bëhet një telefonatë 911 për të kërkuar ndihmë mjekësore në burgun e sigurisë së lartë.
20:50: Avokati Randy Spivey, i cili ndodhej në dhomën e dëshmitarëve, njoftohet se një ambulancë është nisur drejt burgut.
20:53: Mikrofoni në dhomën e ekzekutimit në institucionin e sigurisë së lartë Riverbend, në Nashville, fiket. Dëshmitarët largohen nga zona e vëzhgimit.
Pike dërgohet pa ndjenja në spital, duke shënuar një nga rastet më të pazakonta të dështimit të një ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës.
Apelimet e minutës së fundit para ekzekutimit të dështuar
Më herët, më 30 shtator: Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara rrëzon vendimin e një gjykate apeli, e cila kishte pezulluar ekzekutimin vetëm një orë para fillimit të tij.
Gjykata e apelit kishte kërkuar të shqyrtonte nëse pretendimet e Pike për abuzim seksual gjatë fëmijërisë ishin marrë plotësisht në konsideratë përpara se ajo të dënohej me vdekje.
Gjatë viteve në burg, avokatët e saj kishin bërë disa përpjekje për t’i zbutur dënimin. Ata kishin paraqitur edhe një kërkesë zyrtare për falje, duke theksuar se Pike ishte vetëm 18 vjeçe në kohën e vrasjes në vitin 1995.
Mbrojtja kishte ngritur gjithashtu shqetësime për historinë e saj shëndetësore dhe vështirësitë në gjetjen e venave për vendosjen e linjave intravenoze.
Krimi që e çoi në korridorin e vdekjes
Mars 1996: Në moshën 20-vjeçare, Christa Pike bëhet një nga gratë më të reja të dënuara me vdekje dhe personi më i ri në korridorin e vdekjes në Tennessee në atë kohë.
Janar 1995: Christa Pike, atëherë 18 vjeçe, së bashku me të dashurin e saj, joshin 19-vjeçaren Colleen Slemmer, shoqe të tyre në një program trajnimi profesional Job Corps, drejt një zone të izoluar larg kampusit. Sipas një vendimi të Gjykatës Supreme të Tennessee-t, ata e torturuan dhe e vranë të renë duke e goditur dhe therur.
I dashuri i Pike u dënua më vonë për përfshirjen në vrasje.
Krimi bëri bujë të madhe për shkak të detajeve tronditëse që dolën në publik, përfshirë gdhendjen e një simboli satanik në trupin e viktimës.
Nëna e Colleen Slemmer, May Martinez, e ka përshkruar të bijën si një vajzë të sjellshme, të kujdesshme dhe plot pasion.
“Ajo ishte e apasionuar pas kompjuterëve. Ajo dhe bashkëshorti im ndërtonin dhe çmontonin vazhdimisht kompjuterë”, ka treguar Martinez për Associated Press.
Sipas saj, Colleen kishte besim te të gjithë njerëzit dhe kjo ishte ajo që përfundimisht e bëri të pambrojtur.
Çështja e Christa Pike mbetet tashmë në duart e drejtësisë amerikane. Pas dështimit të ekzekutimit dhe komplikacioneve të rënda shëndetësore, mbetet e hapur pikëpyetja nëse autoritetet e Tennessee-t do të tentojnë sërish zbatimin e dënimit me vdekje./ad
