Last Updated on 08/09/2026 by Monika
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka hyrë brenda qendrës tregtare “Toptani” për të shkuar në Parlament, ndërsa protestuesit, të cilët kishin nisur të grumbulloheshin, e kanë ndjekur pas.
Aktivistja Arvina Lleshi, së bashku me disa protestues të tjerë, i janë drejtuar Luarasit duke e akuzuar me fjalët “hajdute” dhe duke i thënë se “nuk i përfaqëson gratë”.
“Hajdute! Mos fol në emër të grave! Ti nuk je mbrojtësja e grave! Ti nuk i përfaqëson gratë! Po, ti! Po ti përfaqësoje, nuk do të bashkoheshe me qeverinë e krimit! S’kemi turp fare, turp të keni ju! Hajdute!”, i tha aktivistja Lleshi.
Luarasi reagoi në rrjetet sociale pas incidentit duke e quajtur “pritë me sharje e fyerje” nga disa gra që e ngatërrojnë dhunën me aktivizmin. Deputetja shprehet se do t’ia lërë në dorë drejtësisë këtë rast.
“Sot duke hyrë në parlament disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur. Dhe patjetër që për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, por sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra për të mbrojtur gratë. Më thirrën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhë askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm. Më akuzuan se nuk mbroj gratë ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë”, shprehet deputetja.
Reagimi i plotë:
Sot, duke hyrë në Parlament, disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur. Dhe patjetër që për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, por sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur gratë.
Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhi askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm. Më akuzuan se nuk mbroj gratë, ndërkohë që po dhunon vetë verbalisht një grua. Kjo është vërtet ironike, por edhe për të ardhur keq. Më akuzuan se nuk mbroj gratë, ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua.
Unë nuk pretendoj të përfaqësoj këto gra, që ngatërrojnë aktivizmin me agresionin, protestën me pritën dhe guximin me fyerjen. Por përfaqësoj gra dhe vajza të tjera, që punojnë dhe e ngrenë zërin me dinjitet. Ato që nuk kanë nevojë për një grup, kamerën dhe një viktimë që të ndihen të fuqishme.
Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj. Dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë. Sepse fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë, vetëm sepse ushtrohet nga vajza./mxh
