Last Updated on 22/09/2026 by EL
Fatos Çoçoli
Sipas INSTAT, çmimet e produkteve industriale të importuara në Shqipëri kanë hyrë në një fazë stabilizimi. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Indeksi i Çmimeve të Importit arriti në 107,5, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shënoi një ulje prej 0,1%.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se presioni nga çmimet e importeve është zbutur, ndërsa disa prej sektorëve kryesorë kanë regjistruar rënie. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e importit u ulën në të tre seksionet kryesore të mbuluara nga indeksi.
Rënia më e dukshme u regjistrua në energjinë elektrike, gazin, avullin dhe ajrin e kondicionuar, me 2,2%, ndërsa në industrinë nxjerrëse rënia ishte 0,2%. Edhe industria përpunuese shënoi një ulje shumë të lehtë.
Me çmime pak më të ulura blejmë pak më shumë
Këta tregues janë të rëndësishëm për ne, pasi çmimet e importeve kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Vendi ynë importon një pjesë të rëndësishme të mallrave që konsumojnë familjet dhe përdorin bizneset, nga ushqimet dhe karburantet, deri te makineritë, pajisjet dhe lëndët e para.
Kur çmimet e importit ulen, krijohet mundësia që mallrat e konsumit të shiten me çmime më të ulëta, kostot e prodhimit të bizneseve të reduktohen, presioni mbi inflacionin të zbutet dhe familjet të blejnë më shumë, me të njëjtin buxhet. Nga ana tjetër, bizneset kanë më shumë hapësirë për investime dhe punësim.
Për periudhën janar–gusht 2026, faktorët që kanë ndikuar fuqishën në qëndrimin në vend apo uljen e çmimeve të mbi 4.7 miliardë eurove importe që kemi marrë, janë kryesisht çmimet ndërkombëtare, kursi i këmbimit valutor në tregun tonë, kostot e transportit dhe ndryshimet në strukturën e importeve.
Faktori numër një që ka ndikuar pozitivisht në qëndrimin në vend ose uljen e çmimeve të importeve është kursi i këmbimit. Leku shqiptar në tetë muajt e fundit është forcuar ndjeshëm ndaj euros. Euro në gusht u këmbye me 92 lekë, nga 96.5 lekë të muajit janar 2026, ose një rënie e euros me 6 përqind. Kur leku forcohet ndaj euros ose dollarit, importuesi shqiptar blen të njëjtën sasi mallrash me më pak lekë.
Për fat të keq, sikurse ndodh gjithnjë, ulja e çmimeve nga rënia e fortë e euros në janar-gusht 2026 nuk ka ardhur me të njëjtin nivel, pra 6 përqind. Çmimet e mallrave të importit janë ulur shumë më pak, nga grykësia e importuesve.
Çmimet sado pak të ulura ndihmojnë kontrollin e inflacionit
Megjithatë, qendrimi në vend ose ulja e pakët e çmimeve të importit ka edhe rëndësi makroekonomike. Nëse ulja e çmimeve të importit është e gjerë dhe e qëndrueshme, ajo ndihmon në zbutjen e presioneve inflacioniste. Kjo është e rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, e cila ndjek stabilitetin e çmimeve dhe inflacionin.
Nga ana tjetër, qendrimi në vend ose ulja e çmimeve të importit ndihmon edhe në pakësimin e kostove për bizneset. Kjo, pasi lëndët e para të importuara përdoren si inpute në prodhim.
Kur kostot e tyre bien, bizneset arrijnë marzhe më të larta fitimi dhe krijojnë mundësi për investime, për çmime më konkurruese dhe mundësi për të rritur prodhimin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset që përballen me konkurrencë nga importet.
Ulja e çmimeve të importit sjell edhe rritjen e lehtë të fuqisë blerëse tek ne. Fuqia blerëse është aftësia e familjeve për të blerë mallra dhe shërbime me të ardhurat që kanë. Nëse të ardhurat mbeten të pandryshuara dhe çmimet ulen, fuqia blerëse mund të përmirësohet.
Për një familje shqiptare, kjo ka rëndësi sidomos për produktet që blihen çdo ditë, si ushqime, veshje, pajisje shtëpiake, produkte higjienike dhe mallra të tjera të importuara.
Ulen pak edhe kostot e ushqimeve
Qëndrimi në vend apo ulja e lehtë e çmimeve të importit ndikon në një ulje të lehtë edhe të kostos së ushqimeve dhe produkteve të tjera të përditshme, duke krijuar hapësirë për kursime, shpenzime të tjera familjare, investime në arsim dhe shëndet dhe përmirësim të standardit të jetesës.
Ulja e çmimeve të importit zbut disi edhe presionet inflacioniste tek ne. Shqipëria është e ekspozuar ndaj çmimeve ndërkombëtare. Kur çmimet e mallrave të importuara ulen, kjo mund të ndihmojë në zbutjen e presionit mbi çmimet e konsumit.
Për Bankën e Shqipërisë, kjo është e rëndësishme sepse stabiliteti i çmimeve i ndihmon familjet të planifikojnë më mirë shpenzimet, bizneset të planifikojnë investimet, bankat të vlerësojnë më mirë kreditimin dhe ekonominë të ruajë parashikueshmërinë e saj.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, çmimet e ulura të importeve ndihmojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Nëse një prodhues shqiptar importon lëndë të para dhe çmimet e tyre ulen, ai ka kosto më të ulëta. Kjo krijon pastaj mundësi për çmime më konkurruese, shtim të prodhimit, përmirësim të cilësisë, zgjerim të eksporteve dhe rritje të investimeve.
