Last Updated on 18/08/2026 by Monika
Të udhëtosh në vjeshtë mund të jetë ende më e lirë se në verë, por zgjedhja e destinacionit është vendimtare. Sipas të dhënave të reja të Expedia, jashtë Britanisë së Madhe çmimet e hoteleve bien mesatarisht me 7% pas sezonit të verës, ndërsa në nëntor qëndrimet ndërkombëtare janë mesatarisht 10% më të lira se gjatë verës. Në disa destinacione, uljet arrijnë deri në 30%, përfshirë Albufeira dhe Faro në Algarve, si dhe Mykonos dhe Kos në ishujt grekë. Edhe Benidorm, Alicante dhe Stambolli rezultojnë më të përballueshme gjatë muajve të vjeshtës.
Në të njëjtën kohë, Expedia ka identifikuar destinacionet që po fitojnë më shumë interes për vjeshtën e vitit 2026. Luksemburgu kryeson listën me një rritje prej 470% të kërkimeve nga britanikët, ndërsa pas tij renditen Curaçao (+210%), Strasburgu (+170%), Annecy (+165%) dhe San Juan në Porto Riko (+160%). Në listën e 10 destinacioneve më të kërkuara, bien në sy edhe dy vende të Ballkanit: Saranda në Shqipëri, me rritje 110%, renditet e teta, ndërsa Budva në Mal të Zi është e nënta me +85%. Ljubljana në Slloveni mbyll dhjetëshen me +80%. Të dhënat bazohen në kërkimet në Expedia.co.uk nga 13 prilli deri më 12 korrik 2026, për udhëtime nga 1 shtatori deri më 30 nëntor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
