Last Updated on 18/08/2026 by Monika
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, priti të martën në Kiev homologun belg, Maxime Prevot, por takimi u zhvillua në një strehimore nëntokësore, pasi në kryeqytet u aktivizua alarmi për sulme ajrore.
“Për shkak të dronëve rusë që sulmonin kryeqytetin tonë, zhvilluam bisedimet nëntokë, në strehimoren e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës – një realitet i përditshëm për miliona ukrainas, të cilin e përjetuan sot edhe miqtë tanë belgë”, shkroi Sybiha në X. Sipas të dhënave për alarmet ajrore, vetëm të martën në Kiev janë aktivizuar tetë alarme, ndërsa një prej tyre ishte ende në fuqi në momentin e raportimit.
Gjatë takimit, Sybiha falënderoi Belgjikën për mbështetjen ndaj Ukrainës, e cila sipas tij ka kaluar 4.6 miliardë euro, përfshirë më shumë se 1 miliard euro ndihmë ushtarake vetëm gjatë këtij viti. Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan se një sulm me raketa ruse në fshatin Peçenihy, në rajonin e Harkivit, vrau të paktën 10 persona dhe plagosi 18 të tjerë. Sulmi dëmtoi gjithashtu banesa, automjete dhe biznese.
