Për fat të mirë, edhe për ata që nuk pinë kurrë ujë ka një zgjidhje këto ditë të nxehta. Çajrat bimorë dhe ujërat detoks pa sheqer janë ideale. Me pak fruta dhe shumë ujë mund të krijoni receta unike dhe të freskëta. Po si të përgatisni? Ujë natyral dhe fruta! Kaq mjafton. Zgjidhni produkte sezonale me shije të forta dhe të pasura me vitamina, të cilat ndihmojnë në hidratimin e trupit. Mos harroni t’i shtoni në fund pak ujë të gazuar për një shije intensive dhe erëzat si mente apo xhinxher. Shërbejini të ftohta dhe me shumë akull.
Ujë me fruta: 5 receta freskuese për hidratim gjatë ditëve
Çaj me limon dhe lule bizele
Përbërësit: 1/4 lugë çaji me pluhur lulesh bizeleje, 1/2 limon i shtrydhur, 1 limon i prerë në feta, 4 gota ujë i ftohtë, lule për dekor, kuba akulli.
Përgatitja: Hidhni ujin në një enë dhe më pas shtoni pluhurin me esencën e lules së bizeles. Përziejeni me një lugë derisa të krijohet një ngjyrë e njëtrajtshme. Shtrydhni gjysmë limoni dhe lëngun hidheni te çaji. Shtoni fetat e limonit dhe kubet e akullit, të cilat do të çelin pak nuancën e çajit. Shtoni për dekor disa lule bizelesh, apo petale lulesh me të njëjtat nuanca. Lëreni të infuzohet për 60 minuta në frigorifer para se ta shërbeni.
Ujë me fruta: 5 receta freskuese për hidratim gjatë ditëve
Ylber ngjyrash
Përbërësit: 1 limon i prerë në feta, 1 portokall i prerë në feta, gjysmë filxhani boronica, luleshtrydhe të prera në feta, 1 kastravec i vogël i prerë në feta dhe gjethe menteje.
Përgatitja: Hidhni ujin në një brokë të madhe, mund të jetë me gaz ose jo. Vendosni fillimisht fetat e limonit dhe portokallit me gjithë lëkurë dhe lërini pak minuta derisa të përthihet aroma e tyre. Shtoni boronicat dhe luleshtrydhet e prera. Më pas hidhni kastravecin e prerë hollë, i cili ndihmon që uji të krijojë një masë xhelatinoze. Në fund shtoni gjysmën e gjetheve të mentes për të aromatizuar çajin dhe vendoseni në frigorifer për 60 minuta. Shërbejeni të ftohtë, duke e shoqëruar me gjethe menteje dhe kokrra boronice.
Ujë me fruta: 5 receta freskuese për hidratim gjatë ditëve
Çaj me mjedër dhe pjeshkë
Përbërësit: 1 litër ujë, 3 kokrra pjeshkë, 1 gotë me mjedra.
Përgatitja: Hapi i parë është të shtoni pjeshkët dhe mjedrat e prera në feta në një blender me një filxhan ujë. Përziejini derisa të bëhen kremoze! Nëse dëshironi mund të shtoni 1 lugë gjelle mjaltë për ta ëmbëlsuar. Masën kremoze kalojeni në kulluese me rrjetë të imët dhe hidheni në një enë qelqi. Ky hap shmang çdo farë.
Shtoni 4 gota të mëdha uji dhe përziejini në mënyrë që të kryhet procesi i infuzionit. Nëse dëshironi mund t’i shtoni edhe 2 qese çaji të gatshëm. Shtoni disa kuba akulli dhe feta të prera pjeshke me kokrra mjedre.
Ujë me fruta: 5 receta freskuese për hidratim gjatë ditëve
Çaj me shalqi dhe qitro
Përbërësit: 2 feta shalqi, 1 limon i prerë në feta, 1/2 qitro, 1 kastravec mesatar i prerë në feta, gjethe menteje, 2 litra ujë, akull dhe ujë i gazuar.
Përgatitja: Pritni frutat dhe kastravecin në feta dhe vendosini në enën me ujë. Shtoni gjethet e mentes dhe vendoseni në frigorifer që të kryhet infuzioni gjatë natës. Para se ta servirni, hidheni çajin në gota të mbushura deri në gjysmë me akull. Shtoni disa copa frutash dhe më pas hidhni sipër pak ujë të gazuar. Ky ujë me vitamina do të qëndrojë i freskët për një ose tri ditë.
Ujë me fruta: 5 receta freskuese për hidratim gjatë ditëve
Çaj me luleshtrydhe
Përbërësit: Luleshtrydhe, 1 portokall i madh, gjethe menteje
Përgatitja: Pritni fillimisht frutat në copa të vogla dhe vendosini nëpër gotat ku keni vendosur që t’i shërbeni. Mbushini me ujë të ftohtë dhe më pas me anë të një luge, shtypini por pa i prishur atyre formën natyrale. Vendosini në frigorifer për 1 ose 2 orë dhe shërbejini duke i shtuar kuba akulli si dhe gjethe menteje, livandoje ose xhinxher./mxh
