Një ushtar rezervist izraelit ka përplasur me automjet një palestinez, ndërsa ky i fundit po falej në anë të rrugës në Bregun Perëndimor të pushtuar, të enjten më 25 dhjetor. Lajmi u konfirmua nga ushtria izraelite, e cila tha se më herët në zonë ishin dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Në një deklaratë zyrtare, ushtria bëri të ditur se ka marrë pamje filmike që tregojnë një person të armatosur duke përplasur me makinë një civil palestinez. Sipas saj, autori ishte një ushtar rezervist, shërbimi ushtarak i të cilit është ndërprerë menjëherë pas incidentit.
Autoritetet izraelite theksuan se veprimi është kryer në “shkelje të rëndë të autoritetit”, ndërsa arma e rezervistit është sekuestruar. Mediat izraelite raportojnë se ai po mbahet në arrest shtëpie, ndërsa policia izraelite nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar.
Personi i lënduar, palestinezi Majdi Abu Mukho, u dërgua në spital për kontrolle mjekësore, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime dhe tashmë ndodhet në shtëpi.
Pamjet e transmetuara nga televizioni palestinez dhe të verifikuara nga agjencia Reuters tregojnë një burrë me rroba civile, me armë në sup, duke drejtuar një automjet tip “off-road” drejt një personi që po falej në anë të rrugës. Reuters konfirmoi vendndodhjen e ngjarjes në zonën Deir Jareer, bazuar në pamjet satelitore dhe raportimet nga terreni.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, ky vit është ndër më të dhunshmit për sulmet e civilëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, me mbi 750 palestinezë të plagosur. Po sipas OKB-së, nga 7 tetori 2023 deri më 17 tetor 2025, më shumë se një mijë palestinezë janë vrarë në këtë territor, kryesisht gjatë operacioneve të forcave të sigurisë dhe disa si pasojë e dhunës nga kolonët. Në të njëjtën periudhë, 57 izraelitë janë vrarë në sulme palestineze./mxh
