Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi për krijimin e një shërbimi të ri ushtarak vullnetar për të rinjtë, i cili do të fillojë nga mesi i vitit 2026.
Ky veprim është pjesë e një ndryshimi të gjerë në të gjithë Evropën, ku anëtarët e NATO-s që kanë gëzuar prej kohësh dekada paqeje janë të shqetësuar për ndryshimin e prioriteteve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe qëndrimin agresiv të Rusisë.
“Franca nuk mund të qëndrojë duarkryq”, tha Macron në një fjalim para Brigadës së 27-të të Këmbësorisë Malore në Varces, në Alpet Franceze. Presidenti francez tha se plani ishte “frymëzuar nga praktikat e partnerëve tanë evropianë…në përgjigje të një kërcënimi që rëndon mbi të gjithë”.
Skema vullnetare do të jetë e hapur për 18 dhe 19-vjeçarë, të cilët do të paguhen. Shërbimi vullnetar do të zgjasë 10 muaj. Kostot do të jenë rreth 2 miliardë euro. Macroni e quajti këtë veprim “një përpjekje e rëndësishme dhe e nevojshme”.
Në vitin 2026 në skemën e shërbimit vullnetar pritet të marrin pjesë 3,000 vetë. Deri në vitin 2030 shpresohet që të dalin deri në 10,000. Rekrutët do të shërbejnë vetëm në tokën franceze.
Pas kësaj periudhe pjesëmarrësit mund të integrohen në jetën civile, të bëhen rezervistë ose të qëndrojnë në ushtri, tha Macron. Deri në vitin 2030 Franca synon të rrisë numrin e rezervistëve në 80,000 vetë. m.p.
