Vala e të nxehtit që ka përfshirë Francën ka arritur deri në Alpet franceze, duke rritur rrezikun për alpinistët në rrugët e ngjitjes drejt Mont Blanc.
Temperaturat mbi 40 gradë Celsius në disa zona të Francës kanë shkaktuar probleme të shumta, nga ndërprerjet e energjisë dhe mbyllja e shkollave, deri te dhjetëra raste mbytjesh, pasi njerëzit janë përpjekur të gjejnë lehtësim nga temperaturat ekstreme.
Në lartësitë e mëdha pranë Aiguille du Midi, një nga pikat kryesore të nisjes për rrugët drejt majës së Mont Blanc, shqetësimi kryesor është gjendja e borës dhe akullit. Alpinistët thonë se dëbora nuk po ngrin më gjatë natës, akulli është bërë i paqëndrueshëm dhe çarjet në akullnaja po zgjerohen.
Kushtet e vështira kanë detyruar udhërrëfyesit të ndryshojnë itineraret dhe të kërkojnë nisje më të hershme për të shmangur rreziqet.
“Është bërë më e rrezikshme. Duhet të nisemi më herët dhe të kthehemi më shpejt në strehim”, thonë alpinistët, duke fajësuar temperaturat e larta.
Vala e të nxehtit ka ndikuar edhe në operacionet e shpëtimit malor, pasi temperaturat e larta dhe lartësia e madhe e bëjnë më të vështirë funksionimin e helikopterëve.
Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e vazhdueshme po dobëson shtresat e borës dhe akullit në Mont Blanc, duke e bërë ngjitjen drejt majës 4 800 metra të lartë edhe më të rrezikshme./mxh
