Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë Spanjën, duke sjellë temperatura ekstreme në jug të vendit. Në qytetin e Seviljes, banorët dhe turistët kanë kërkuar mënyra për t’u mbrojtur nga i nxehti, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë në 42 gradë Celsius.
Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës, AEMET, bëri të ditur se vala e të nxehtit do të vijojë deri të enjten, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.
Sipas të dhënave të AEMET, një në tetë stacionet meteorologjike në të gjithë vendin regjistroi temperatura prej 40 gradë Celsius ose më shumë gjatë ditës së hënë. Në aeroportin e Seviljes, termometri shënoi 41.3 gradë Celsius.
Temperaturat e larta kanë vështirësuar jetën e përditshme, ndërsa rrugët e qytetit janë boshatisur gjatë mesditës, me banorët dhe vizitorët që kanë kërkuar freski në hije, pranë shatërvanëve ose në ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar. Meteorologët paralajmërojnë se i nxehti ekstrem do të vazhdojë të mbetet një rrezik për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike./mxh
