Last Updated on 30/03/2026 by Anisa
Ndërsa lufta në Iran po dëmton gjithnjë e më shumë popullaritetin e Donald Trump, po rritet edhe rreziku politik personal nga dy bashkëpunëtorët e tij më të afërt: zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Të dy, të konsideruar gjerësisht si “trashëgimtarët” më të mundshëm të Trumpit, janë gjendur në qendër të negociatave – ende në zhvillim – për përfundimin e luftës, në një moment kur Partia Republikane tashmë po shqyrton të ardhmen e saj pas Trumpit.
Sipas Reuters, Vance ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, që pasqyron skepticizmin e tij ndaj një përfshirjeje të zgjatur ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Në të kundërt, Rubio kohët e fundit është afruar më shumë me linjën e Trumpit.
Me zgjedhjet e ardhshme presidenciale që priten në vitin 2028 dhe me Kushtetutën amerikane që ndalon një mandat të tretë presidencial, Trump po ngre privatisht para këshilltarëve të tij çështjen e trashëgimisë së tij, duke e përmbledhur me pyetjen vendimtare: “J.D. apo Marco?”, sipas dy burimeve që folën për Reuters.
Rëndësia vendimtare e përfundimit të luftës
Rezultati i operacionit ushtarak amerikan në Iran, i cili tashmë ka hyrë në javën e pestë, mund të përcaktojë perspektivat e dy pretendentëve për vitin 2028, sipas analistëve politikë dhe zyrtarëve të Partisë Republikane.
Sipas tyre, një përfundim i shpejtë i luftës në favor të SHBA-së mund të favorizonte Rubion, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare të Trump dhe mund të shihet si një faktor stabiliteti në një periudhë pasigurie të madhe.
Një konflikt i zgjatur mund t’i jepte Vance-it hapësirë për të mbetur një zë i rëndësishëm i prirjeve kundër luftës në bazën elektorale të Trumpit, pa u pozicionuar hapur kundër presidentit.
Megjithatë, deri tani, ecuria e luftës po rezulton vendimtare edhe për vetë Trumpin, popullariteti i të cilit ka rënë në 36% gjatë ditëve të fundit, niveli më i ulët që nga janari i vitit të kaluar dhe që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Disa republikanë, sipas Reuters, po e ndjekin nga afër sjelljen e Trumpit për të kuptuar se ndaj cilit nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt anon ai – ndonëse pranojnë se për një president kaq të paparashikueshëm dhe të ndryshueshëm nuk ka siguri.
“Të gjithë po vëzhgojnë gjuhën e trupit që Trump përdor ndaj Rubios, duke vënë re dallime në krahasim me Vance-in,” tha një republikan me lidhje të ngushta me Shtëpinë e Bardhë, duke nënkuptuar shenja të një pranimi më të madh të Sekretarit amerikan të Shtetit.
Qëndrim tolerance
Vance, 41 vjeç, ish-marins që ka shërbyer në Irak, prej kohësh kundërshton përfshirjen e SHBA-së në luftëra. Megjithatë, deklaratat e tij publike për Iranin kanë qenë të kufizuara dhe të formuluara me kujdes, ndërsa Trump ka theksuar se të dy kanë “dallime filozofike” sa i përket konfliktit.
Dikur përkrahës i doktrinës “kurrë Trump”, Vance pranonte në një artikull në Wall Street Journal në vitin 2023 se politika e jashtme më e mirë e Trumpit ishte fakti që, gjatë katër viteve të para të mandatit të tij mes 2017 dhe 2021, ai nuk nisi asnjë luftë.
Shtëpia e Bardhë ka minimizuar çdo mospajtim mes presidentit dhe zëvendëspresidentit, ndërsa Vance, të paktën publikisht, është rreshtuar me linjën e qeverisë.
“Zëvendëspresidenti Vance është krenar që është pjesë e një ekipi jashtëzakonisht efektiv, i cili, nën udhëheqjen e guximshme të presidentit Trump, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në bërjen e Amerikës më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të begatë,” thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të tij, duke reflektuar linjën e përputhjes – ose të paktën qëndrimin diplomatik të zëvendëspresidentit amerikan.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i cili gjithashtu foli për Reuters në kushte anonimiteti, theksoi se nga ana e tij Trump i toleron dallimet ideologjike, për sa kohë që bashkëpunëtorët e tij mbeten të përkushtuar. Ai shton gjithashtu se skepticizmi i Vance-it e ka ndihmuar Trumpin të kuptojë qëndrimin e një pjese të bazës së tij elektorale.
Ndërkohë, edhe Rubio, ambiciet e të cilit për presidencën në vitin 2016 u shuan pas një përplasjeje të fortë me Trumpin, ka lënë prej kohësh pas çdo fërkim me presidentin dhe ka një “marrëdhënie të shkëlqyer, si profesionale ashtu edhe personale” me ekipin e Trumpit, siç u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Një person me njohuri mbi qëndrimet e Vance-it i tha Reuters se zëvendëspresidenti do të presë deri pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit përpara se të vendosë nëse do të kandidojë në vitin 2028.
Vance fitoi një sondazh jozyrtar në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator (CPAC, konferenca më e madhe dhe më me ndikim e aktivistëve dhe zyrtarëve konservatorë), me rreth 53% të mbi 1,600 pjesëmarrësve që e votuan si kandidatin më të mundshëm të republikanëve. Rezultatet e shpallura të shtunën treguan gjithashtu se Rubio po fiton terren, duke u renditur i dyti me 35%, nga vetëm 3% vitin e kaluar.
54-vjeçari Rubio ka deklaruar se nuk do të kandidojë për president nëse e bën Vance, ndërsa burime që njohin bindjet e tij thonë se ai do të ishte i kënaqur si kandidat për zëvendëspresident i Vance-it.
Megjithatë, të paktën në këtë fazë, në një mjedis të luhatshëm gjeopolitik, por edhe me zhvillime të brendshme, Vance mbetet një objektiv i ndjeshëm, diçka që mund të rezultojë në favor të Rubios ose republikanëve të tjerë që po shqyrtojnë mundësinë për të kandiduar.
“Trump ka një kujtesë të gjatë”, vëren analisti strategjik republikan Ron Bonjean. “Dhe mund ta qortojë Vance-in për mungesë besnikërie. Dhe nëse Trump mbetet popullor në bazën e MAGA-s, kjo mund ta dëmtojë Vance-in, pasi ai nuk do të marrë mbështetjen e presidentit.”
Trump ka hedhur idenë që Vance dhe Rubio të kandidonin së bashku, duke lënë të kuptohet se do të ishte e vështirë të mposhteshin.
“Trump nuk dëshiron të propozojë askënd,” deklaroi nga ana tjetër një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Një sondazh i Reuters/Ipsos i muajit mars tregoi se 79% e republikanëve kanë një opinion pozitiv për Vance, ndërsa 19% e shohin negativisht. Rreth 71% kishin një opinion pozitiv për Rubion, ndërsa 15% e shohin negativisht./fjala.al-A.D
