Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt.
Kryebashkiaku Veliaj mbrohet nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi. Ndërsa Presidenca përfaqësohet nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme është edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.
Veliaj tha në seancë se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në paraburgim me një regjim burgosjeje më të rëndë sesa vrasjeje seriale.
“Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve. Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë. Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.”, tha Veliaj.
Seanca nisi me një kërkesë paraprake nga Presidenca, e cila kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Por, kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja.
Mbrojtja e Veliajt e cilësoi shkarkimin e Veliajt si veprim të motivuar politikisht. Veliaj la qelinë e rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. Pasi zbriti nga furgoni i Policisë së Burgjeve, i shoqëruar me policë, Veliaj dha edhe një buzëqeshje të lehtë.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli./ K.M
