Prince Harry dhe Meghan Markle kanë reaguar pas një vendimi të rëndësishëm gjyqësor në Los Anxhelos, ku një juri shpalli fajtorë për neglizhencë gjigantët e teknologjisë Meta dhe YouTube.
Çifti e cilësoi këtë vendim si “një pikë kthese për familjet”, duke theksuar se për vite me radhë platformat digjitale kanë operuar pa marrë përgjegjësi të plotë për ndikimin që kanë tek fëmijët dhe të rinjtë.
Sipas tyre, ky është një moment i rëndësishëm që detyron industrinë të përballet me realitetin. Çështja u ngrit nga një vajzë, e cila argumentoi se këto platforma janë ndërtuar në mënyrë që të krijojnë varësi, duke ndikuar negativisht në shëndetin e saj mendor.
Juria vendosi se kompanitë kishin një rol të rëndësishëm në dëmin e shkaktuar dhe urdhëroi pagesën e 3 milionë dollarëve dëmshpërblim, ku pjesa më e madhe i atribuohet Meta.
Nga ana tjetër, Meta dhe Google (kompania mëmë e YouTube) kanë kundërshtuar vendimin, duke deklaruar se do të ndjekin hapa të mëtejshëm ligjorë dhe duke theksuar se shëndeti mendor i adoleshentëve është një çështje komplekse që nuk mund t’i atribuohet vetëm një platforme.
Prince Harry dhe Meghan Markle prej kohësh kanë ngritur shqetësime për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë përmes fondacionit të tyre, duke bërë thirrje për më shumë siguri dhe mbrojtje në hapësirën digjitale.
Ky vendim pritet të hapë një debat të ri global mbi përgjegjësinë e rrjeteve sociale dhe ndikimin e tyre në shëndetin mendor të përdoruesve të rinj./mxh
