Britney Spears i ka dhënë fund përballjes me drejtësinë për incidentin e ndodhur në muajin mars, pasi përfaqësuesi i saj ligjor u paraqit në Gjykatën e Qarkut Ventura dhe pranoi fajin në emër të këngëtares për një akuzë të reduktuar.
Artistja 44-vjeçare nuk mori pjesë në seancë, pasi ligjërisht nuk ishte e detyruar të ishte e pranishme. Avokati i saj arriti një marrëveshje me prokurorinë për akuzën e njohur si “wet reckless”, një formë më e lehtë që lidhet me drejtimin e pakujdesshëm nën ndikimin e alkoolit, e cila zakonisht aplikohet në raste pa pasoja të rënda apo aksidente.
Me këtë zhvillim, procedura gjyqësore u mbyll pa kaluar në një proces të gjatë. Si pjesë e vendimit, Spears do të jetë nën mbikëqyrje për një periudhë njëvjeçare dhe do të ndjekë një program rehabilitimi tre mujor lidhur me përdorimin e alkoolit.
Avokati i saj, Michael Goldstein, deklaroi se këngëtarja ka pranuar përgjegjësinë dhe ka nisur hapa konkretë për të ndryshuar situatën, gjë që ndikoi edhe në vendimin për lehtësimin e akuzave.
Nga ana tjetër, autoritetet kanë vendosur disa kushte shtesë: në rast ndalimi nga policia, Spears do t’i nënshtrohet testeve për alkool dhe substanca të tjera, ndërsa do të vazhdojë trajtimin për shëndetin mendor përmes vizitave të rregullta te specialistët.
Ngjarja daton më 4 mars, kur këngëtarja u arrestua në Ventura County për drejtim të dyshuar të rrezikshëm. Ajo u lirua një ditë më pas. Ndërkohë, sipas burimeve, më 12 prill ajo është vetë-regjistruar në një qendër rehabilitimi, ku po fokusohet në rikuperimin dhe stabilizimin e jetës së saj personale./mxh
