Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një marrëveshje që lejon qytetarët të kenë vetëm një ndalesë në pikat doganore.
Marrëveshja për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe zbatimin e kontrolleve të përbashkëta ndërmjet dy shteteve, të njohur si “One stop”, është nënshkruar ditën e sotme në Peshkopi nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe homologu i tij maqedonas, Pançe Toshkovski.
Lamallari u shpreh se kjo marrëveshje nënkupton më shumë lehtësi për qytetarët, më shumë mundësi për biznesin dhe më shumë mundësi zhvillimi për ekonomitë e dy vendeve.
“Këtu jam sot bashkë me homologun tim maqedonas, Pançe Toshkovski, për të nënshkruar një marrëveshje që, në fakt, i bën si të papërfillshëm kufijtë midis dy vendeve tona. Por matet me sa pak pengesë krijojmë në kufijtë tanë për qytetarët mes dy vendeve. Kufijtë sot nuk duhen parë si mure ndarëse midis dy vendeve, ato duhet të jenë ura që lidhin dhe krijojnë sinergjinë e duhur për zhvillimin ekonomik. Nuk po i dobësojmë kufijtë tanë, përkundrazi po i bëjmë më të fortë e më të sigurt. Më të sigurt për shtetet tona dhe më të lehtë për qytetarët. Kjo marrëveshje, që ndërtohet mbi parimin “Një Ndalesë”, nënkupton më pak procedura, më pak pritje, më shumë efikasitet dhe më shumë siguri. Kjo nënkupton më shumë lehtësi për qytetarët dhe më shumë kohë për ta, më shumë mundësi për biznesin dhe më shumë mundësi zhvillimi për dy ekonomitë tona”, u shpreh Lamallari.
Raportohet se zbatimi i marrëveshjes do të bëhet gradualisht dhe në mënyrë të kontrolluar, në mënyrë që çdo pikë e përbashkët kufitare të jetë plotësisht e përgatitur nga aspekti operacional dhe juridik përpara se të vihet në funksion.
Bëhet me dije se brenda këtij muaji do të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshjeje, fillimisht në doganën Qafë Thanë dhe muajin tjetër në doganën Bllatë./mxh
