Last Updated on 01/08/2025 by adminfjala
Fiks Fare ka bërë një vëzhgim nga veriu në jug, në dhjetëra stacione plazhi, për të parë nëse zbatohen kriteret për vendosjen e kullave të vrojtimit, rojeve dhe mjeteve të shpëtimit.
Ka një VKM të dalë në vitin 2019, ku çdo stacion plazhi duhet të ketë roje, pajisje, radio ndërlidhëse për shpëtimin e pushuesve. Por, nga vëzhgimi i Fiks Fare rezultoi se në shumicën e stacioneve mungonte kulla, s’kishte roje dhe as mjete. Për pasojë, çdo vit mbyten pushues në çdo plazh. Kush mban përgjegjësi?!
Në vitin 2019, qeveria miratoi një VKM për “kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”. Janë një mori kriteresh që duhet të përmbushë një subjekt privat për t’a marrë lejen në disa institucione. Në nenin 7 përcaktohen edhe kërkesat për sigurinë në këto stacione plazhit. Krahas pastërtisë dhe sigurisë, shkruhet se “të gjitha stacionet e plazhit duhet të garantojnë shërbimin me vrojtues plazhi përgjatë gjithë kohës që subjekti ushtron aktivitetin e tij”.
Madje përcaktohet mjaft qartë se për çdo 80 metra vijë lineare bregdetare duhet të ketë një vrojtues. Ndërkohë, shkruhet se të gjitha stacionet e plazhit duhet të kenë flamuj (i kuq ndalim notimi, i verdhë notim me masa mbrojtëse dhe jeshil që lejohet notimi). Dhe, këto duhet të vendosen në kullën që duhet të jetë 3.5 metra e lartë.
Çdo stacion, shkruhet në VKM, duhet të ketë pikë vrojtimi me disa pajisje si dhe detyrimisht duhet të ketë vrojtues plazhi. Madje, mungesa e shërbimit me vrojtues nëse konstatohet, përbën shkak për heqjen e lejes. Ndërkohë në kullë duhet të gjenden jelekët e shpëtimi, dylbitë, uniforma e rojës, gomerdarja apo kanale për komunikim emergjence. Në letra janë shkruar mjaft qartë se çfarë duhet. Po në terren, a zbatohet?!
Në fund të muajit qershor 2025, një pushues humbi jetën në Durrës, në sektorin RINIA. Shkaku?! Mungesa e vrojtuesit të plazhit! Raste flagrante ka pasur ndër vite pothuajse në të gjithë vijën bregdetare. Rastet fillojnë nga Velipoja, Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Durrësi, Golemi, Spilleja, Divjaka, Semani, Vlora, Himara apo edhe Saranda. Në shumicën e rasteve fatale, shkaku është bërë pikërisht mosndërhyrja në kohë e rojtarëve të plazhit, një detyrim për çdo subjekt privat. m.p.
