Last Updated on 19/07/2026 by Monika
Pak orë para finales së Kupës së Botës në stadiumin “MetLife” në New Jersey, hyrjet për median u përfshinë nga kaosi. Mbi 2 mijë gazetarë nga e gjithë bota u përballën me radhë të gjata dhe pritje që në disa raste kaluan tre orë.
Dyert për përfaqësuesit e medias u hapën në orën 09:00, por organizimi rezultoi i pamjaftueshëm për fluksin e madh. Shumë gazetarë, të cilët kishin mbërritur para orës 09:00, deklaruan se edhe pas dy orësh pritjeje kishin ende një kohë të gjatë për të hyrë në stadium.
Situata u përkeqësua nga mungesa e informacionit dhe orientimit. Gazetarët lëviznin nga një hyrje në tjetrën, ndërsa stafi i sigurisë përpiqej të menaxhonte turmën mes konfuzionit dhe radhëve të pafundme. Në disa momente, kontrollorët u detyruan të ndryshonin procedurat për të përshpejtuar hyrjen e medias.Përveç problemeve organizative, në ambientet përreth stadiumit binte në sy edhe prania e madhe e tifozëve argjentinas. Fanellat bardheblu, flamujt dhe këngët e tyre dominonin atmosferën jashtë “MetLife”, duke krijuar përshtypjen e një mbështetjeje dukshëm më të madhe krahasuar me tifozët spanjollë.
Pavarësisht vështirësive në hyrje, organizatorët pritet të garantojnë zhvillimin normal të finales, një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në botë./mxh
