Last Updated on 19/07/2026 by Monika
Një barrierë koralore mesofotike në brigjet e Beninit, e cila prej viteve 1960 konsiderohej e vdekur, rezulton të jetë ende e gjallë. Zbulimi u bë falë përdorimit të teknologjive moderne, si sonarët, dronët nënujorë dhe kamerat autonome të thellësive, duke sjellë një nga gjetjet më interesante të viteve të fundit në fushën e biologjisë detare. Më shumë se 50 metra nën nivelin e detit, studiuesit identifikuan një ekosistem koralor me shenja të qarta jete, aty ku ekspeditat e dekadave më parë kishin konstatuar vetëm heshtje biologjike. “Nuk ishte e lehtë, por kur pamë pamjet e para të shtratit të detit ndjemë një përzierje emocionesh, entuziazëm dhe mosbesim. Papritur kishim përballë diçka reale”, tha Gérard Zinzindohoué, koordinatori i studimit të botuar në revistën shkencore Frontiers in Marine Science. Barrierat koralore mesofotike zhvillohen në thellësi më të mëdha se ato tradicionale, në zona ku depërton shumë pak dritë dielli. Ndryshe nga reef-et klasike, ato nuk formojnë domosdoshmërisht një strukturë të vetme të pandërprerë, por përbëhen nga komunitete të shpërndara koralesh në fundin e detit. Duke u bazuar në të dhënat historike, ekipi i kërkuesve skanoi rreth 11.5 kilometra të shtratit detar me sonar. Më pas, me ndihmën e një droni nënujor dhe sistemit autonom Deep Sea Camera System, u filmua barriera koralore, e cila rezultoi në gjendje të mirë, me të paktën tetë lloje koralesh dhe tetë specie peshqish. Sipas studiuesve, kjo është dëshmia e parë e konfirmuar e ekzistencës së një ekosistemi koralor mesofotik të gjallë në platformën kontinentale të Gjirit të Guinesë. “Besoj se ajo që kemi zbuluar nuk është një rast i izoluar, por tregon sa pak dimë ende për ekosistemet bregdetare të Afrikës Perëndimore dhe rajoneve të tjera”, theksoi Zinzindohoué. Megjithatë, studiuesit sqarojnë se nuk kanë mundur ende të marrin mostra të drejtpërdrejta të koraleve, ndaj identifikimi i saktë i specieve mbetet për t’u konfirmuar. Po ashtu, nuk dihet ende nëse koralet kishin vërtet vdekur në vitet 1960 dhe janë rikuperuar me kalimin e kohës, apo nëse barriera ka qenë gjithmonë e shëndetshme. Raportet historike sugjeronin se bëhej fjalë për një barrierë të vetme koralore me gjatësi rreth 40 kilometra, të shtrirë paralelisht me bregdetin e Beninit. Sipas autorëve të studimit, eksplorimi i kësaj zone sapo ka nisur dhe mund të sjellë zbulime të tjera të rëndësishme për biodiversitetin detar.
