I dërguari i Shteteve të Bashkuara, John Coale, i caktuar nga presidenti Donald Trump për të negociuar lirimin e të burgosurve politikë në Bjellorusi, zhvilloi këtë të premte bisedime në Minsk me presidentin Alexander Lukashenko, njoftoi media shtetërore.
Një video e shkurtër e publikuar nga një kanal në Telegram i lidhur me administratën e Lukashenkos tregon presidentin duke përshëndetur Coale me një dorështrëngim dhe një përqafim të shkurtër, si dhe duke e uruar për emërimin e tij muajin e kaluar si i dërguari special i Trump.
“Ju jeni zyrtari ynë më i lartë për Bjellorusinë. Thoni Trumpit që duhet të bëjmë diçka për këtë. Dhe ne do ta bëjmë,” tha Lukashenko. Ai shtoi se admironte veprimet e Trump dhe se bota po ndryshon shumë shpejt, duke sjellë probleme të reja që duhen diskutuar dhe ndoshta zgjidhur.
Trump ka kërkuar nga Lukashenko të lirojë deri në 1,400 persona, të cilët presidenti amerikan i ka quajtur “pengje”. Gjatë vizitës së fundit të Coale në Bjellorusi në shtator, ai arriti të bindte Lukashenkon të lirojë 52 persona, prej të cilëve 40 ishin të burgosur politikë, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Viasna. Njëri prej tyre u rikthye më pas në burg pasi refuzoi të deportohej.
Si shpërblim, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj linjës ajrore shtetërore bjelloruse. Megjithatë, që atëherë, Viasna ka regjistruar 167 individë të rinj si të burgosur politikë. Opozita bjelloruse në mërgim akuzon Lukashenkon për një “derë rrotulluese”, duke zëvendësuar të burgosurit politikë në mënyrë të vazhdueshme./mxh
